MENU
klinika

Patenta/ Aplikimi nga 15 qershori

Dyfishim i gjobave në këmbim të mospezullimit

02.06.2019 - 16:22

Nga data 15 qershor nis të zbatohet ndryshimi i ri ligjor që parashikon dyfishimin e gjobave në këmbim të mos pezullimit të patentës.

Amendamenti në kodin rrugor është miratuar pak javë më parë nga parlamenti dhe tashmë është publikuar edhe në fletoren zyrtare.

Ky ndryshim u vjen në ndihmë drejtuesve të automjeteve që nuk janë shqiptarë, të cilëve bllokimi i patentës u sjell shumë problematika.

Argumentet e paraqitura nga deputeti Pjerin Ndreu për propozimin e kësaj nisme janë si më poshtë:

1.Ndryshimi dhe shtesat në pikën 3 të nenit 127 bëhen me qëllim unifikimin e sanksioneve me vendet e BE-së, me qellim që edhe vendi ynë të vendosë dhe të aplikojë ato standarde;

2. Propozimi për dyfishim të sanksionit me masë administrative në “këmbim” të mospezullimit të lejedrejtimit për drejtuesit e mjeteve me lejedrejtimi të lëshuar nga një shtet i huaj, do të jetë një masë lehtësuese për drejtuesit e mjeteve;

Gjoba-konica.al

3. Ky ndryshim do të ketë një impakt mjaft pozitiv për drejtuesit e mjeteve nga Kosova, të cilët tranzitojnë në Shqipëri çdo fundjavë dhe sidomos për sezonin turistik;

4. Impakt pozitiv ndryshimi do të ketë edhe për drejtuesit e mjeteve joshqiptare me kombësi të huaj, të cilët do të ndjejnë “shtrëngesën” në pagesën e një mase dyfish për shkeljen e kryer dhe nuk do të kenë vonesa dhe humbje të panevojshme nga shkuarja tek Institucioni i Prefektit për të aplikuar për falje etj.;

5. Ndryshimi i propozuar do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit nga kryerja e shkeljeve të mësipërme të parashikuara dhe vjelja dyfish të shumës së masës administrative të parashikuar për dispozitën e shkelur;

6. Amendimi i propozuar do të ndikojë drejtpërdrejtë për eliminimin e shfaqjeve korruptive dhe të perceptimit negativ që ekziston në publik për Policinë Rrugore, e cila sot aplikon masat për këtë kategori në zbatim të dispozitës përkatëse, por “perceptimi” mbetet pasi diferencat dhe ndryshimet në legjislacionet rrugorë të huaja me ligjin shqiptar e krijojnë këtë perceptim.