Partia Socialiste ka hapur fushatën elektorale sot në Lezhë me prezantimin e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane Pjerin Ndreu.
Kryeministri Edi Rama duke folur para mbështetësve lezhianë tha se megjithëse duket si një betejë pa kundërshtarë, kjo fushatë drejt 30 qershorit ështën jë betejë mes së shkuarës dhe se ardhmes dhe mes atyre që duan ta çojnë Shqipërinë pas dhe atyre që duan ta çojnë para.
“Sot në Lezhë vazhdon maratona drejt 30 qershorit në një betejë që duket si betejë pa kundërshtarë por është një betejë më e qartë se kurdoherë tjetër mes së shkuarës dhe së ardhmes. Mes nesh që duam ta çojmë Shqipërinë para dhe atyre që duan ta kthejnë mbrapsht përsëri. Mes nesh që duam një vend normal demokratik dhe duam t’u lëmë fëmijëve tanë një vend të denjë për ta dhe atyre që duan vetëm pushtet, pushtet për veten përmes dhunimit të demokracisë”, deklaroi Rama.
Kreu i maxhorancës duke iu referuar opozitës, tha se ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve.
“Kanë frikë të vijnë para popullit dhe të pranojnë gjykimin e njerëzve me votë. prandaj kërcënojnë se s’do ta lënë popullin të shprehet me votë. Ata kanë frikë nga ballafaqimi me ne, prandaj dhe betohen rrugëve se do na imponojnë një përplasje antidemokratike përveç se të dënueshme nga ligjet.
Por një gjë duhet ta themi, çdo ditë dhe duhet ta dëgjojnë që të gjithë. Ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet nuk kanë në dorë asgjë tjetër përveç ikjes së tyre në drejtim të paditur”, u shpreh Rama.
Sipas tij, drejtimi i Shqipërisë dihet dhe drejtimi ynë dihet.
“Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë anti-demokratike vetëm kur opozita pengohet të hyjë në zgjedhje, por kur ajo vendos vetë të mos hyjë në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë aspak antidemokratike.
Imagjino pak çfarë rrumpalle do bëhej ky bend nëse zgjedhjet do bëheshin pre e tekave të partive?! Imagjinoni çfarë çorapi do bëhej e gjithë jeta demokratike nesër nëse sot do shtyheshin zgjedhjet për t’i hapur rrugë një politike qorre. Imagjinoni çfarë kuptimi do kishte nesër, sikur sot të fitonte kjo politikë pengmarrje që ne të vinim na e jepni votën se për 4 vjet do bëjmë kështu.
Ngaqë nuk fitojnë dot thonë s’ka rëndësi se çfarë thotë popullit. Ata thonë ne duam të ikni ju dhe të vijmë ne. Dhe jo zgjedhje se nuk i fitojmë dot por një kryeministër që e vendosim ne. Ku është parë kjo? Boll 30 vjet me lojëra nga më të ndryshmet, në dëm të shtetbërjes. Ata janë pak ne jemi shumë”, deklaroi kreu i qeverisë.