MENU
klinika

Nga New York Times

Opozita do largimin, por Rama ka mbështetjen e SHBA-BE

02.06.2019 - 19:09

“New York Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë protestave të qytetarëve në disa shtete të Ballkanit.

Nga Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria, gazeta amerikane analizon atë që po ndodh në “fuçinë e barutit” prej disa muajsh. Duke u ndalur në Shqipëri, “New York Times” shkruan se një valë protestash ka nisur prej muajsh, ku opozita kërkon largimin e Kryeministrit Edi Rama, por ky i fundit ka mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Amerikës.

“Në Shqipëri, protestuesit kanë organizuar tubime prej muajsh, madje duke u përpjekur të sulmojnë Parlamentin, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, të cilin ata e akuzojnë për korrupsion dhe manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017. Megjithatë, z. Rama, i cili mbështetet nga të dyja palët SHBA dhe BE, duket i sigurt në pushtet”, shkruan “NYT”.

Më tej, në analizën kushtuar protestave në rajon, “NYT”, shkruan se shumë syresh në Ballkan besojnë se anëtarsimi në Bashkimin Europian, do të forcojë demokracitë e reja.

“Shumë, në Ballkan, kanë shpresuar se perspektiva e anëtarësimit me Bashkimin Europian mund të përforcojë demokracitë e reja. Por me zyrtarët në Bruksel, të cilët janë fokusuar në frenimin e kërcënimeve nga nacionalistët brenda bllokut, interesi kryesor i Bashkimit Evropian në Ballkan duket se është që rajoni të ketë stabilitet”, shkruan ndër të tjera media amerikane./realstory.al