MENU
klinika

Reagimi i plotë

“Asnjë hap pas”/ Kryemadhi veçon dy momente nga protesta

03.06.2019 - 20:15

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka mbyllur reagimin e saj në Facebook me protestën e madhe të opozitës së bashkuar të datës 2 qershor.

Kryetarja e LSI-së tha se kjo protestë ishte madhështore dhe ka dhënë forcë dhe shpresë shqiptarëve.

Kryetarja e LSI-së gjithashtu ka nënvizuar dhe dy momente të veçanta të kësaj proteste, ndërkohë që ajo e mbyll postimin e saj se beteja do të vazhdojë me protestën e 8 qershorit dhe se nuk do të ketë asnjë hap pas.

“Protesta madhështore e mbrëmjes së djeshme, vendosmëria e qindra mijëra shqiptarëve të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ndriçoi natën e errët, më dha forcë dhe shpresë. Të gjithë bashkë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, intelektualë dhe punëtorë, fermerë dhe minatorë, studentë dhe nxënës. Me mijëra së bashku për t’i dhënë edhe më shumë bukuri dhe shumëllojshmëri tablosë madhështore të protestës. Kjo nuk është protesta e Lulit dhe Monës, siç mundohet ta quajë Edi, por e shqiptarëve që e duan Shqipërinë dhe duan ta ndërtojnë të ardhmen e familjeve, e fëmijëve, të tyren, këtu në Shqipëri. Dhe e them me bindjen time të plotë, që nuk do të ketë forcë që mund t’i ndalë.

Ata nuk po kërkojnë asgjë më shumë se atë që çdo evropian e gëzon prej dhjetra vitesh. Të drejtën e tyre, që të vendosin me votë të lirë nga kush duan të qeverisen. Pa presione bandash. Pa dhunë shtetërore. Të shkojnë të votojnë pa frikën e bukës së gojës dhe të vendit të punës. Të zgjedhin dhe të zgjidhen edhe pa dëshirën e kryetarëve, por me votën e shqiptarëve.

Kjo protestë nuk është për të zëvendësuar dikë me dikë tjetër, por për të ndryshuar sistemin. Për t’i dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar. Prandaj shqiptarët janë kaq të vendosur në protestën e tyre, që dita ditës bëhet edhe më e madhe, se ajo që ishte një ditë më parë. Besoj, se edhe miqtë e Shqipërisë, po e kuptojnë këtë. Kjo është një betejë e shqiptarëve për liri dhe demokraci.

Për një Shqipëri si gjithë Evropa. Nga protesta e djeshme doja të ndaja me ju dhe dy aspekte të veçanta, që më impresionuan shumë. E para, pjesëmarrja e Klajda Gjoshës në protestë, megjithëse në muajin e tetë të shtatzanisë dhe mesazhi i saj: “Nuk trembemi nga asgjë dhe askush! Njësoj si unë janë me dhjetra nëna të tjera shtatëzëna dhe me fëmijë për dore. Në fund të fundit kjo është kauzë për fëmijët tanë dhe jemi të vendosur t’i shkojmë deri në fund.” Një grua, një nënë, që mund ta siguronte të ardhmen e familjes dhe fëmijëve së saj, në çdo vend të botës me arsimimin dhe përgatitjen intelektuale që ka, por Klajda ka zgjedhur të luftojë për Shqipërinë.

Momenti i dytë që më emocionoi shumë ishte fotoja e një grupi studentësh që kishin shkruar në duart e tyre fjalët: “Our future, in our hands”. Po, e ardhmja juaj, është në duart tuaja. Askush nuk mund t’ua tjetërsojë ëndrrat, shpresat ashtu si e dëshironi ju, si qytetarë të denjë të Evropës.

Askush nuk mund t’ua mposhtë vullnetin, bindjen dhe përkushtimin tuaj për ta ndërtuar jetën tuaj, këtu në Shqipëri. Ndaj në 8 qershor të gjithë së bashku në vazhdimin e betejës sonë për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen tuaj. Asnjë hap pas!”, shkruan Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.