MENU
klinika

Përgjysmohen gjobat

36 mijë biznese drejt bankave

05.06.2019 - 17:36

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka vendosur të përgjysmojë gjobat për personat fizikë/ juridikë, si dhe organizatat jofitimprurëse me xhiro mbi 2 milionë lekë, që nuk përmbushin detyrimin për të hapur llogari bankare.

Propozimi është bërë nga kreu i komisionit Arben Ahmetaj, sipas të cilit, niveli i gjobave e përcaktuar në projektligj është shumë e ngarkuar. Kjo iniciativë prek rreth 36 mijë biznese. Ministrja e Financave theksoi se ky ligj do ti shërbejë formalizimit të ekonomisë dhe reduktimit të parasë cash.

Sipas draftit, subjektet që regjistrohen rishtazi kanë afat 20 ditë, dhe ato që janë të regjistruara, duhet të hapin llogari bankare jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Komisioni propozoi që masa e penalitetit të ulet nga 100 000 mijë lekë në 50 000 mijë lekë.

Ministrja Anila Denaj në fjalën e saj theksoi dy çështje që janë shumë të rëndësishme dhe që u komentuan nga ana e anëtareve te Komisionit.

“E para ky nuk ta të bëjë vetëm me një përqindje, për luftën kundër terrorizmit. Kjo ka të bëjë me reduktimin e ekonomisë informale dhe pavarësisht se është brenda paketës Moneyval, është shumë e rëndësishme të reduktohet ekonomia informale dhe përdorimi i cash-it, prandaj hapja e llogarisë është absolute, sikurse kryetari e përmendi”, u shpreh ministrja.

Sipas Denajt, Ministria e Financave dhe Ekonomisë është pro rritjes se masave te penaliteteve ndaj biznesit qe nuk respekton procedurat dhe afatet ligjore ne deklarimin, pasi jemi te fokusuar ne biznesin e ndershem dhe reduktimin e informalitetit.

Komunikimi do të bëhet nëpërmjet sistemit dhe me shërbimin e tatimpaguesit dhe është shumë automatik dhe shumë i thjeshtë.

“Gjoba nuk duhet të jetë qëllim në vetvete as për biznesin, as për ministrinë, dhe kjo nuk duhet të jetë kërcënim. Nëse regjistrimi ndodh dhe brenda afateve të gjykuara të arsyeshme çdo ortak regjistrohet, çdo ndryshim regjistrohet, kjo duhet të prevalojë dhe prandaj nuk duhet të na trembë një gjobë edhe 8-fish më e shtuar”, theksoi Ministrja Denaj.

Gjithashtu Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave një paketë projektligjesh, që synojnë përmbushjen e rekomandimeve dhe adresimin e problematikave të evidentuara në raportin e vlerësimit të Komitetit Moneyval të Këshillit të Europës, për çështjet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Paketa e projektligjeve të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë përfshijnë ndryshimet në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar; ndryshimet në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si dhe ndryshimet në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.