Kostot në ndërtimin e banesave kanë shënuar rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit me 0,4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të nxitura kryesisht nga zëri “kosto të paspecifikuara”.
Ndërkohë që kostot në ndërtim janë pothuajse në vendnumëro dhe kërkesa për banesa po shfaq dobësi, çmimet, nga ana tjetër, janë rritur me shpejtësi.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, nga viti 2013 deri më 2018, çmimet e banesave janë rritur mesatarisht me 15%. INSTAT bëri të ditur se krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit ”Kosto të tjera” u rrit me 1,6%, ndjekur nga grupi “Shpenzime për paga” dhe ”Shpenzime makinerie” përkatësisht me 1,3% dhe 1,0%. Ndërsa rënie kanë shënuar grupet “Shpenzime transporti” dhe “Shpenzime materiale” përkatësisht me 1,0% dhe 0,4%.
Në tremujorin e parë 2019, ndryshimi tremujor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim shënoi rënie me 0,3%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2018, rënie kanë shënuar grupet: “Shpenzime transporti” me 1,0 %, “Shpenzime materiale” me 0,5% dhe “Shpenzime makinerie” me 0,1% ndërsa rritje ka shënuar grupi “Kosto të tjera” me 0,3%.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate). IKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit.
IKN, duke filluar nga tremujori i parë 2011, llogaritet me shportën e re të materialeve. Peshat e këtyre materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit.
Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi, teksa çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 165 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit.