MENU
klinika

Negociatat me BE

“Merkel kampjonia jonë”/ Rama flet për mediat gjermane: Realizuam…

06.06.2019 - 10:58

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Die Welt”, kryeministri Rama theksoi se pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se tanimë Shqipëria është gati për hapjen e negociatave.

“Është e rëndësishme që pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se që prej vitit të kaluar, konsiderohemi nga Komisioni Europian se jemi tanimë gati për hapjen e negociatave”, thekson kreu i qeverisë.

Intervista e plotë:

Negociatat për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE-në mund të nisin që në muajin qershor. Cilat janë pritshmëritë tuaja rreth këtij procesi?

Vitin e kaluar, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë në vitin 2018. Kjo nuk ndodhi. Megjithatë, Bashkimi Europian u zotua për nisjen e negociatave në 2019-n. Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian, tha më herët në vitin 2014 se zgjerimi do të ngrihej për pesë vjet dhe tani jemi në 2019-n. Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë përfaqëson një hap historic në diplomacinë e rajonit. Duket se ky është momenti i duhur. Në të njëjtën kohë, është e pamundur tashmë që të parashikosh çfarëdo gjëje rreth asaj që Bashkimi Europian do të bëjë më tej. Ky është një problem brenda familjes dhe parashikueshmëria është gjëja e fundit që mund të kërkojmë. Ndaj është e rëndësishme që pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se që prej vitit të kaluar, konsiderohemi nga Komisioni Europian se jemi tanimë gati për hapjen e negociatave. Komisioni, në pikëpamjen time, është institucioni i vetëm që ka ekspertizën e duhur dhe njohurinë e plotë të detajeve e historikut të secilit vend. Thënë kjo, pjesa tjetër është thjesht politikë dhe asnjëherë nuk i dihet. Por, në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është që ne nuk po e bëjmë të gjithë këtë për të tjerët, ne po e bëjmë për veten tonë dhe fëmijët tanë sepse procesi i integrimit është një vegël fantastike modernizimi. Përshtatja e standarteve europiane është të bësh pikërisht atë që brezat e ardhshëm meritojnë.

A ndiheni më pak optimist rreth të gjithë procesit?

Jo, në mënyrë gati tragjike unë kam qenë gjithmonë optimist. Jeta ime dhe historia jonë më tregojnë vazhdimisht se optimizmi tragjik është zgjidhja më e mirë. Tani, edhe holandezët, të cilët janë skeptikë, kanë thënë që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Holanda, së bashku me Gjermaninë dhe Austrinë, kanë dhënë një ndihmë të madhe për ne. Të tre këto vende janë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar që po na asiston në refomën në drejtësi. Ne kemi bërë diçka të cilën asnjë vend tjetër nuk e ka realizuar më parë. Ne kemi ndryshuar Kushtetutën, por jo vetëm kjo; ne kemi kaluar të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në sitën e një procesi shumë të vështirë vetingu dhe po pastrojmë sistemin në një mënyrë që asnjë vend tjetër negociues nuk e ka bërë më parë. Kjo është bukuria dhe çudia e këtij procesi, sepse ndërsa duhet ende të hapim negociatat, kemi realizuar gjëra që vendet negociuese duhet ende t’i realizojnë.

Po sugjeroni që deri tani, procesi i integrimit ka qenë një proces asimetrik?

Pa dyshim që po. Nuk është një sekret dhe të gjithë e dinë këtë. Për vendet që u bashkuan të parat, presioni ishte më i vogël, kërkesat më të pakta dhe procesi shumë më i lehtë. E më pas, për çdo vend që u bashkua më pas, gjithmonë e më e vështirë.

A mendoni se tani ka më pak oreks, nga ana e BE-së për vende të reja në Union?

Duhet të saktësoj se ne nuk pretendojmë të anëtarësohemi në BE që tani, ne thjesht duam hapjen e negociatave. Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë. Është si të planifikosh një martesë, por jo të martohesh menjëherë. Kjo e bën të gjithë këtë situatë edhe më fruestuese dhe edhe më absurde sepse ndërsa kemi bërë gjithçka që na është kërkuar për hapjen e negociatave, trajtohemi sikur duhet të vendoset që tani nëse do të jemi apo jo pjesë e Unionit. E kjo është thjesht e pavërtetë.

Si mundet të përfitojë BE dhe Gjermania nga hapja e këtyre bisedimeve?

Nuk jam në pozitë për t’u thënë atyre asgjë. Ata janë në pozitën ku duhet të mendojnë se çfarë dëshirojnë. Ata janë më të fortë, e nuk kanë përjetuar luftë në jetën e tyre. Kështu që për ta, nuk është e thjeshtë të kuptojnë arsyet se përse ne jemi të dhënë me kaq pasion pas Bashkimit Europian. Jam i sigurtë që nëse baballarët themeluese të BE-së do të ishin ende këtu, ata do të kuptonin përfitimet shumë më mirë. Për ne, BE është ajo që ishte edhe për ta, një projekt paqeje dhe një vend ku mund të gjesh një hapësirë të përcaktuar, të pakërcënuar nga konfliktet e të shkuarës. Për europianët e sotëm, lufta është një lloj sajese televizive bardh e zi. Nga ana tjetër, pa dyshim, Bashkimi Europian ka problemet e tij. Është një kohë vërtet kohë vërtet komplekse dhe nuk është e lehtë të bësh parashikime.

A mendoni se ka një ide të gabuar rreth Shqipërisë në Europë?

Do të thoja që ka qenë edhe më keq. Po bëhet më mirë dhe do të vijojë të bëhet më mirë sepse gjithmonë e më shumë njerëz po vijnë në Shqipëri dhe po kuptojnë që vendi ynë është tërësisht i ndryshëm nga përgjithsimet negative mund të kenë besuar. Kjo ide do të përhapet, por në të njëjtën kohë, dembelizmi gazetaresk është një karakteristikë e kohëve tona. Për një gazetar dembel nuk mund të presësh lajme të mira, por vetëm lajme të këqija, sepse pa dyshim ato shesin më shumë.

Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare u rrit me 4,1% sipas të dhënave të BE. Si do të përshkruanit situatën makroekonomike të vendit tuaj?

Në përllogaritjen tonë të fundit të vitit 2018 rritja ishte prej 4,5%, por ky numër është ende duke u vlerësuar. Ne synojmë që të mbajmë rritjen ekonomike mbi kufirin e 4%. Ndërkohë, kemi përjetuar një rrënie të ndjeshme të papunësisë, nga 18,7% në 12,3%. Qëllimi ynë është që ta reduktojmë më tej, drejt 8%. Nuk do të jetë e lehtë, por nuk është as e pamundur. Kjo është ajo për të cilën po luftojmë.

Si do ta karakterizonit marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë?

Shumë të mirë. Gjermania është Gjermania. Kancelarja Anxhela Merkel është e papërsëritshme dhe ajo ka një vizion tejet të qartë rreth Ballkanit, rreth të shkuarës dhe të ardhmes së këtij rajoni. Kjo është arsyeja përse ajo ka qenë dhe mbetet kampionia jonë. Lidershipi i saj e ka shndërruar Gjermaninë në shpëtimtaren e Europës. Nuk e di se ku do të ishte Europa sot nëse nuk do të kishte qenë Anxhela Merkel në kohën e krizës së refugjatëve. Edhe pse i është dashur të paguajë një çmim të lartë për këtë, gatishmëria e saj për ta paguar atë çmim e bën një lider edhe më të madh. Gjërmania është shumë e drejtë dhe e qartë në përgjithësi, çka nuk mund të thuhet për të gjitha vendet.

Është raportuar që Gjermania sapo i dha Shqipërisë një grant historik. Mund të na thoni më shumë rreth rëndësisë së kësaj gjëje?

Nuk është një grant, media e ka bërë të duket si e tillë, por një finacim. Në pikëpamjen e bashkëpunimit dypalësh, bëhet fjalë për një plan 7-vjeçar financimi përmes bankës së zhvillimit KfW.

Në vitin 2016, Gjermania u shndërrua në partnerin e katërt më të madh ekonomik të Shqipërisë. Në cilin drejtim tregtia dypalëshe mund të fuqizohet më tej?

Ka shumë potencial rritje në marrëdhënien tonë tregtare dhe jam shumë besimplotë që pikërisht kjo është ajo që do të ndodhë, veçanërisht përsa i përket produkteve tona bujqësore.

Sipas statistikave të “Heritage Foundation”, një e dhjeta e investimeve të huaja direkte që fokusohet në Ballkanin Perëndimor shkon në Shqipëri. Sa janë mundësitë që Shqipëria të tërheqë edhe më shumë?

1/10 sepse ne nuk kemi qenë në gjendje të krijojmë një rrugë të qëndrueshme për rritjen e investimeve të huaja direkte në turizëm, që është sektori me potencialin më të madh. IHJ në turizëm kanë qenë shumë të ulta, ndërkohë që energjia ka qenë më e rëndësishme. Aktualisht, jemi në fund të testimeve të fundit me SHELL në lidhje me një fushë të rëndësishme naftë dhe gazmbajtëse. Të gjithë të dhënat paraprake sugjerojnë se kjo do të jetë një histori suksesi. Rreth kësaj do të dimë më shumë së shpejti. Nëse lajmi do të jetë pozitiv, do të kemi një investim tjetër të madh për shumë vite në vijim. Gjithashtu, sapo kemi filluar të investojmë edhe në energjinë diellore. Oferta jonë e parë shkoi shumë mirë dhe tani po përgatitemi për një të dytë. Prodhimi dhe agrikultura ofrojnë gjithashtu disa mundësi vërtet interesante për investitorët e huaj.

Çfarë ka bërë bendi juaj gjatë vitit të kaluar në drejtim të infrastrukturës dhe hapjes së korridoreve me pjesën tjetër të Europës?

Ka ende shumë punë për t’u bërë, por disa projekte madhore janë duke u zbatuar. Shpresoj që do të kemi lajme të mëtejshme nga Procesi i Berlinit në këtë drejtim.

Diçka unike midis politikanëve, por ju jeni edhe një artist. Çfarë po bëni si kryeministër për të mbështetur sferën kulturore?

Për fat të mirë, kemi shumë të rinj të talentuar që po shprehin veten në fushën artistike jashtë vendit. Përshembull, janë disa shqiptarë në Orkestrën Filarmonike të Berlinit, kemi disa këngëtarë fantastike opera si dhe artistë të shkëlqyer të arteve vizuale. Për një vend të përmasave tona, kemi një trashëgimi të rëndësishme në fushën e artit. Rinovimi i sheshit qëndror të Tiranës, Sheshit Skëndërbej fitoi çmimin prestigjioz Europian të Hapësirave Publike në vitin 2018, një prej çmimeve më prestigjioze në arkitekturë.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!