Një ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori urdhër ndalimi për publikimin e përgjimeve të dosjes 339, ku përfshihen një sërë zyrtarësh të Partisë Socialiste, por sot dy prokurorët, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi duket se janë tërhequr.
Ata sqarojnë se ndalimi i publikimit të akteve sekrete të dosjes 339 nuk prek gazetarët dhe mediat.
“Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet proçedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e proçedimit penal për shkak të funksionit që kryen”,- sqarojnë prokurorët.
6 përgjime u publikuan dje nga gazeta gjermane Bild. Sipas urdhrit të firmosur nga prokurorët Dritan Prenci dhe Valdimir Mara, nëse gazetari gjerman, Peter Tiede vijon të nxjerrë përgjime, ai edhe mund të ndalohet dhe dënohet në Shqipëri.
NJOFTIMI I PLOTE:
Sipas Urdhërit të Prokurorëve, datë 05.06.2019, të dërguar për njoftim në media, në lidhje me ndalimin e publikimit të akteve sekrete të proçedimit penal nr. 339 të vitit 2016, sqarojmë se ndalimi i publikimit, është i bazuar në ligjin proçedural dhe atë material në fuqi, (nenet 103, 104 e 105 të Kodit të Proçedurës Penale dhe neni 295/a të Kodit Penal).
Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet proçedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e proçedimit penal për shkak të funksionit që kryen.
Në fazën ku ndodhet hetimi i kësaj çeshtjeje, nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimorë, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit, tjetërsimin apo deformimin e provave si dhe sigurinë e shtetasve emrat e të cilëve mund të bëhen publike nga publikimi i paautorizuar i akteve sekrete, të cilët janë pyetur apo do të pyeten për faktet objekt hetimi.
Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, ju bëmë me dije se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cënimin e lirisë së mediave, por vetëm arsyet ligjore të lartpërmëndura.
PROKURORËT E ÇËSHTJES
VLADIMIR MARA DRITAN PREMÇI