Në të gjithë, 92 përqind e popullsisë nuk jetojnë në ajër të pastër dhe ndotja e ajrit godet veçanërisht vendet e rajonit të Ballkanit.
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, ditën e djeshme, BERZH ka deklaruar se, u kërkon bizneseve, komuniteteve dhe individëve të bashkohen së bashku, për të eksploruar energjinë e rinovueshme dhe teknologjitë e gjelbra, që mund të përmirësojnë cilësinë e ajrit në të gjithë botën.
Nëpërmjet institucioneve financiare vendore partnere, BERZH deklaron se, edhe për Ballkanin, ka siguruar fonde për investime në teknologji energjie shumë efikase, sidomos për sektorin e banimit.
“Nxitja e investimeve të Bashkimit Evropian deri në 20 përqind ndihmon që kredia të jetë më e përballueshme për klientët. Pas përfundimit të investimit dhe verifikimit, klientët mund të marrin stimulin në formën e një cashback.
Çdo familje mund të kontribuojë duke konsumuar energji në mënyrë më efikase. Kjo nga ana tjetër ndihmon në reduktimin e ndotjes së ajrit.
Duke përdorur zgjidhje efikase për energji, siç janë dritaret dhe dyert moderne, sistemet e ngrohjes / ftohjes dhe sistemet e përdorura për izolim, familjet mund të ulin ndjeshëm gjurmët e tyre të karbonit, ndërsa në të njëjtën kohë të arrijnë kursime të konsiderueshme.”- ka bërë me dije BERZH në një deklaratë të fundit.
Programi i BERZH-it për Financimin e Gjelbër të Ekonomisë në Ballkanin Perëndimor (BB GEFF), prej 1 viti e gjysmë, mbron mjedisin duke inkurajuar përdorimin më të mirë dhe më efikas të energjisë.
Deri më sot, investimet prej 8 milionë eurosh në projekte kanë kontribuar në kursimin e mbi 7 milionë kWh energji dhe më shumë se 2.5 milion kg emisioneve të CO2 në vit.
“Programi ka arritur tashmë pothuajse 1,500 familje në Ballkanin Perëndimor, duke treguar kështu kërkesën e fortë për kreditimin e gjelbër në rajon”.
BERZH tregon se programi ka përdorur mjetet inovatore të teknologjisë së re të BERZH-it.
Kjo platformë në internet liston mbi 18,000 produkte me efikasitet të lartë të energjisë, të para-aprovuar për financim nga 13 kategori, të ofruara nga pothuajse 4,500 shitës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.