Linja Kinostudio-Kombinat do të jetë nga të parat që do të fusë autobusët elektrik në Tiranë.
Nga Kombinati ku prezantoi projektet dhe këshilltarët e PS për katër vitet e ardhshme, kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se flota e autobusëve të transportit publik do të transformohet tërësisht.
“Jam shumë i kënaqur që linja Kinostudio-Kombinat do të jetë nga linjat e para që do të fusë autobusët elektrik në Tiranë. Linja sot hyn tek linjat më të mira në Tiranë, por le ta pranojmë, i gjithë ky shërbim bëhet me një sakrificë shumë të madhe. Unë kam shok Shpendi, kryetarin e bashkisë se Prishtinës aty është gjysmë euro një biletë autobusi. Vetëm dy linja ka dhe është 700 lek (të vjetra) aq është edhe në Shkup, aq është edhe në Podgoricë.
Ndaj edhe unë them që duke mbajtur këtë ritëm ne jemi gati dhe t’i subvencionojmë autobusët elektrik, pra të sigurohemi që pa rënduar çmimin, pra të sigurohemi që vjen teknologjia më e fundit pa rënduar xhepin e askujt si një mënyrë që edhe ne të jemi me qytetet e tjera evropiane”, theksoi Veliaj.