Së shpejti, Kina do të jetë një treg i ri për produktet shtazore të vendit, të cilat kanë shumë pak hapësirë në tregjet e huaja.
Shqipëria dhe Kina kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi mes tyre për bashkëpunimin mbi importin dhe eksportin e produkteve ushqimore dhe sigurinë ushqimore.
Ky memorandum është një mekanizëm i rëndësishëm për t’i hapur rrugë eksportit nga Shqipëria në Kinë të produkteve me origjinë shtazore.
Nënshkrimi vjen pak ditë pas vizitës në Kinë të ministrit të Bujqësisë Bledi Çuçi, i cili u takua me homologun kinez dhe bisedoi në mënyrë të veçantë për Protokollin e Karantinës.
Qëllimi final është që vendi ynë të eksportojë drejt Kinës produkte me origjinë shtazore si qumështi e djathi apo peshku, mjalti etj.
Nënshkrimin e Memorandumit e bëri një ditë më parë në Kinë zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj.Ermira Gjeçi.
Të dyja palët bien dakord të negociojnë dhe bashkëpunojnë në procedurat e inspektimit dhe karantinës së produkteve ushqimore të mbuluara nga ky Memorandum, në përputhje me të drejtat dhe detyrimet e palëve.
Shqipëria është e interesuar të intensifikojë shkëmbimet tregtare me Kinën, sidomos në sektorin bujqësor dhe industrinë agro përpunuese.