Ndryshe nga dalja e parë ku firmosi ‘Live” dekretin që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, Presidenti i Republikës, në këtë konferencë të dytë me gazetarët lidhur me situatën politike në vend, iu përgjigj pyetjeve të tyre edhe më i relaksuar, sikundër u shpreh edhe vetë.
Pyetjes nëse do të inicionte një tryezë mes partive politike në funksion të gjetjes së zgjidhjeve për të kaluar ngërcin politik, Meta iu përgjigj me batutë: “ Nëse nuk shkarkohem” – tha ai, duke lënë të nëkuptohet se do e marr një veprim të tillë.
Ndëkohë duke komentuar deklaratat e kreut të qeverisë, se vendimi i tij erdhi si pasojë e frikës së reformës në drejtësi, Meta tha se frikë ka vetëm nga përgjegjësia para popullit nga detyrat që ka.
“Nëse ka një njeri që e di që unë s’kam frikë është Rama. Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia para popullit dhe nga detyrat që kam. Dhe detyra që kam është shumë e lartë. Reforma në drejtësi nëse u miratua me konsensus e ka falë ndërhyrjeve që kam bërë për atë konsensus se ndryshe sot Shqipëria as rekomandimin për nisje të negociatave nuk do e kishte” u shpreh Meta.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta teksa iu përgjigj interesimit të gazetarëve, komentoi edhe një pyetje të tipit që vendimi i tij për shfuqizimin e dekretit të datës së zgjedhjeve ishte marrë në konflikt interesi pasi nga ky vendim përfitonte bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
Ndërsa vuri buzën në gaz, Presidenti tha se nuk duhet shpikur asnjë institucion tjetër, pasi i vetmi institucion që i dekreton zgjedhjet është Presidenti.
Sipas tij, pa këtë dekret nuk do ketë zgjedhje.
“Mos u bëni qesharakë, në Repubikë ka një institucion që i shpall zgjedhjet. Mos u lodhni kot duke shpikur institucione të tjera.
Vendimet e tij i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Po zgjedhje s’ka dhe s’do të ketë pa dekretin e Presidentit”.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta e cilëson shatazh dhe presion ndaj figurës së tij nismën e socialistëve për ta shkarkuar nga detyra.
I ndërgjegjshëm se është bazuar krejtësisht në atë që Kushtetuta thotë për çdo vendim të marrë, Meta sqaroi edhe njëherë se vendimi i tij u mor për të shmangur një konflikt më 8 qershor dhe për t’ju dhënë palëve mundësi të dialogojnë.
Nga ana tjetër, Presidenti shton se si shpërblim ka marrë shatazhe e presione.
“Ishte pretendimi i zotit Rama që thoshte nuk lëviz nga data 30 qershor, i takonte atij të tregonte më shumë fleksibilitet, është kryeministri i Shqipërisë, ka përgjegjësi para të gjithë qytetarëve shqiptarë, edhe ata që protestojnë janë qytetarët e Republikës ku ai është kryeministër, paguajnë taksa, kanë pretendimet e tyre dhe duhet të respektohen.
Përpjekja ime ishte për të parandaluar më të keqen dhe për të krijuar kushtet reale për një dialog. A do ta zgjidhë kjo? Është një përpjekje mjaft kurajoze, e kam bërë me bindje që t’ju japë palëve një mundësi që Shqipëria të vijojë të ecë në rrugën e Integrimit Europian.
Në rast se do kishte ndodhur diçka në datën 8 jam i sigurt që do thoshin shumë vonë zoti President. Prite që të shtohej edhe një viktimë? Nuk kemi nevojë për viktima në një situatë të tillë, në një shoqëri që do ti’ bashkohet Europës. Kemi nevojë për një vullnet të të dyja palëve”,- tha Meta.
Sipas tij, “Sigurinë duhet ta japë qeveria. Inciativa e fundit e saj çfarë është? Shantazh, presion që i bëhet institucionit më të lartë të shtetit. Pse?
Se bën përpjekje për të dhënë mundësi që kollonat mbi të cilat ndërtohet Republika të mos tronditen e rrëzohen”,– tha ai.