MENU
klinika

Ndryshon ligji

Bashkitë mund të japin me qera tokat shtetërore

11.06.2019 - 18:25

Të 61 bashkitë në vend do të kenë të drejtë që me shumicë të thjeshtë të Këshillit Bashkiak të japin me qira prona shtetërore për qëllime të zhvillimit ekonomik.

Deri më tani pushteti vendor ka qenë i kufizuar për shkak se kjo procedurë kërkonte 3/5 e votave. Ndryshimi në projektligjin për “Vetëqeverisjen vendore” janë diskutuar në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore.

Një tjetër ndryshim në draft, lidhet me një shtim kompetence për bashkitë me qëllim dhënien e shërbimeve për diasporën dhe migracionin. Ndryshimet janë miratuar në komision në parim dhe nën për nen dhe drafti pritet të kalojë edhe në seancë plenare.

Ndryshimi në aktin normativ është diskutuar dhe miratuar në Komisionin për Çështjet Ligjore.

Sipas relacionit shpjegues të draftit, kjo më merr shkas nga vullneti i mirë për të adresuar disa problematika që ndeshen aktualisht, ku në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, por rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Në praktikë këto rrethana sjellin probleme për investitorët që përkthehen me pengesa në kryerjen e disa investimeve të rëndësishme në vend, si dhe sjellin si rezultat moszbatimin e planeve vendore të miratuara.