Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi se do të hapë një zyrë të re rajonale të përfaqësuesit përhershëm për të forcuar marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Me qendër në Vjenë, zyra e re do të ndihmojë në ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta me këto katër shtete, por gjithashtu edhe me donatorët, institucionet ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore dhe qeverinë austriake, si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Zyra e re do të kryesohet nga Stephanie Eble, aktualisht Shefe e Misionit të FMN-së për Kosovën.
Elbe, shtetase gjermane, ka punuar më parë në Ukrainë, Greqi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Ajo është e diplomuar nga Shkolla e Ekonomisë në Londër. Znj. Eble do të mbikëqyrë ekipet lokale në zyrat ekzistuese në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat do të vazhdojnë të jenë të hapura. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat kanë programe aktive me FMN, do të vazhdojnë të kenë përfaqësues të tyre në vend.
“Kjo zyrë e re në Vjenë do të jetë pjesë e rëndësishme e marrëdhënies sonë të vazhdueshme me këto katër shtete, në rrugëtimin e tyre drejt integrimit evropian”, tha Zëvendësdrejtori i FMN-së Tao Zhang pas takimit me Guvernatorin e Bankës Kombëtare Austriake Ewald Nowotny, dhe Harald Waiglein, Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, në Vjenë.
“Hapja e zyrës rajonale është kosto-efektive dhe gjithashtu ndihmon të jemi më afër anëtarëve tanë në rajon dhe partnerëve kryesorë të zhvillimit,” shtoi ai.
Zyra pritet të jetë funksionale në vjeshtë, ndërsa data e saktë do të publikohet më vonë.