MENU
klinika

Raporti global i IHD-ve

Shqipëria, e dyta në rajon për investime të huaja

14.06.2019 - 20:41

Shqipëria renditet e dyta në Ballkan, pas Serbisë, për nivelin e investimeve të huaja direkte (IHD në 2018, sipas raportit të fundit të OKB-së për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD).

Shqipëria përllogaritet të ketë pasur në 2018 rreth 1.3 mld dollarë IHD, me rritje prej 12.9% nga një vit më parë. Ndërsa Serbia ka pasur një total prej 4.1 mld dollarë, me një rritje të dyfishtë nga 2017. Serbia, sipas raportit, konsiderohet edhe vendi i tretë në të gjithë Europën Juglindore me rritjen më të lartë të IHD në 2018 (pas Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë).

Në nivele më të ulëta ndodhet Mali i Zi, e cila pa një tkurrje IHD prej -12%. Ndërsa Bosnjë e Hercegovina pa një rritje të lehtë prej 4.5 % të IHD në 2018.

Vitin e kaluar, flukset globale të investimeve të huaja direkte ranë me 13 për qind, në 1.3 trilionë dollarë.

Kjo përfaqëson nivelin më të ulët që nga kriza financiare globale dhe nënvizon mungesën e rritjes së investimeve ndërkombëtare në këtë dekadë, thekson raporti. Nevojitet një përshpejtim për të përmbushur nevojat e investimeve që lidhen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili ende nuk është i dukshëm, sipas OKB.

“Ne kemi nevojë për të rritur ambicien për veprimin në fusha si ndryshimet në klimë, për të adresuar dobësitë e borxhit dhe për të zvogëluar tensionet tregtare, në mënyrë të tillë për të nxitur mjediset që të jenë të favorshme për të rritur investimet afatgjata dhe të qëndrueshme. Ndër instrumentet më të rëndësishme për tërheqjen e investimeve janë Zonat e Posaçme Ekonomike. Numri i zonave të tilla nëpër botë është rritur me shpejtësi këtë dekadë në më shumë se 5,000”-thekson raporti.

Në vitin 2019, IHD pritet të rimëkëmben në ekonomitë e zhvilluara, pasi efekti i reformave tatimore të SHBA-së është në rënie.

Njoftimet e projektit Greenfield – duke treguar planet e shpenzimeve të ardhshme – gjithashtu tregojnë një rritje, pasi ato ishin rritur 41% në 2018 nga një nivel i ulët në vitin 2017.

Megjithatë, trendi i dobët i IHD tregon që rritja e IHD-ve mund të jetë relativisht modeste dhe mund të frenohet më tej nga faktorë të tjerë, si risku gjeopolitik, shkallëzimi i tensioneve tregtare dhe një zhvendosje globale drejt politikave më proteksioniste.

Trendi i rritjes së investimeve të huaja direkte ka qenë anemik që nga viti 2008.

“Trendi i stanjacionit i dekadës i atribuohet një numri faktorësh që përfshijnë rënien e normave të kthimit të IHD-ve, formave gjithnjë e më të lehta të investimeve dhe një klime përgjithësisht më pak të favorshme për investime”, tha drejtori i Investimeve pranë UNCTAD, James Zhan.