MENU
klinika

Fundjava përvëluese

Meteorologët: Ditë më të freskëta pas së dielës

16.06.2019 - 09:21

Fundjava është parashikuar përvëluese jo vetëm për Shqipërinë por edhe gjithë rajonin.

Një masë presioni i lartë nga Afrika e Veriut është përqendruar mbi rajonin e Mesdheut dhe Evropës Jugore, përfshirë vendin tonë, por pas kësaj fundjave gjërat pritet të ndryshojnë disi.

Sipas Meteoalb, e diela, vijon me kthjellime deri pasdite kur vranësira lokale zhvillohen në Veri dhe zonat Lindore duke sjellë rrebeshe të shkurtra shiu dhe stuhi të izoluara breshëri por mbeten kryesisht të kthjellëta zonat Perëndimore.

Nga e hëna dhe në vijim deri të premten do të ketë kthjellime e vranësira kalimtare gjatë paraditeve dhe mbrëmjeve por vranësirat zhvillohen gjatë pasditeve duke sjellë edhe rrebeshe shiu në zonat malore; në zonat Perëndimore pritet shi, vetëm në zona të izoluara.

Mesdita e së dielës, sjell një rënie me të paktën 3°C duke u ulur në 35°C. Rënie më e ndjeshme pritet në zonat Lindore. Temperaturat, nga e hëna deri të enjten do të jenë të paktën 3-4°C më të freskëta krahasuar me këtë fundjavë por sërisht pas të premtes, temperaturat rriten në të gjithë Shqipërinë.