MENU
klinika

TETË mësime për Shqipërinë

Gjermania e viteve ’30, kolapsi i “Weimar”

17.08.2018 - 13:00

Qysh prej themelimit të Republikës Federale të Gjermanisë në vitin 1949, gjermanët e kanë kujtuar me ankth rënien e Republikës së Weimar-it* në fillim të viteve 1930 dhe themelimin e nazizmit. Por me tensionin dhe autoritarizmin në rritje që shumë prej vendeve demokratike në botë po kalojnë, përfshirë këtu Shqipërinë, mësimet e kësaj periudhe duhet patjetër të merren parasysh.

Duke filluar nga fakti që goditjet ekonomike – siç janë rritja galopante e çmimeve, depresionet ekonomike dhe krizat financiare – janë sfida për të gjitha qeveritë, kudo dhe kurdo. Pasiguria dhe vështirësitë ekonomike i bindin njerëzit se çdo regjim i ri do të jetë më i mirë se ekzistuesi. Ky është një mësim i qartë jo vetëm prej viteve të Republikës Weimar (1919 – 1933), por edhe nga një hulumtim i gjerë mbi logjikën ekonomike të demokracisë.

Një mësim i dytë thelbësor: në kushte ekstreme ekonomike, përfaqësimi proporcional mund ta përkeqësojë gjendjen edhe më shumë. Kur politikat e një vendi janë të copëzuara, proporcionali ka më shumë gjasa të japë një shumicë zgjedhore jokompakte, që zakonisht përfshin parti të majta e të djathta që e refuzojnë “sistemin aktual”, por pajtohen shumë pak në pika të tjera.

Të marra së bashku, këto dy mësime përbëjnë mençurinë konvencionale të analistëve politikë rreth përvojës së Weimarit. Shumë shpesh, secili mësim konsiderohet më vete, duke krijuar një ndjenjë të rrezikshme vetëkënaqësie. Argumenti i parë ua zbeh mendimin njerëzve se qoftë edhe një krizë ekstreme ekonomike mund ta kërcënojë sistemin politik; i dyti, i çon njerëzit të supozojnë – gabimisht – që sistemet joproporcionale janë në thelb më të forta.

Për të parandaluar vetëkënaqësinë ndihmon marrja në konsideratë e tetë mësimeve të mëposhtme nga epoka e Weimarit.

 

Mësimi i parë: referendumet janë të rrezikshme, sidomos kur ato përdoren rrallë dhe elektorati ka pak përvojë me to.

Në Republikën e Weimar-it, socialistët nacionalistë thuajse u zhdukën në vitin 1929. Por po atë vit partia ishte në gjendje të rikthehej fort, duke garuar egërsisht përmes një referendumi mbi dëmshpërblimet e pas Luftës së Dytë Botërore.

Mësimi i dytë: shpërndarja e parlamentit para kohe, kur ligji nuk e kërkon këtë gjë, është tejet e rrezikshme.

Edhe vetëm një votë që krijon bazë për zgjedhje të reja mund të interpretohet si një pranim që demokracia ka dështuar. Në korrik të vitit 1932, nazistët fituan pjesën më të madhe të votave (37%) përmes zgjedhjeve të lira, por ligjërisht të panevojshme. Zgjedhjet e mëparshme ishin mbajtur më pak se dy vjet më parë, dhe të tjera nuk ishin të nevojshme deri në vitin 1934.

Mësimi i tretë: kushtetuta nuk e mbron domosdoshmërisht sistemin.

Kushtetuta e Weimarit, e projektuar nga disa prej ekspertëve më të mençur dhe më me etikë të kohës (duke përfshirë Max Weberin), ishte pothuajse e përsosur. Por kur ngjarjet e paparashikuara – qoftë dramat e politikës së jashtme apo trazirat e brendshme – interpretohen si emergjenca që kërkojnë një kuadër ekstra-ligjor, mbrojtjet kushtetuese mund të zhduken me shpejtësi. Dhe armiqtë e demokracisë mund të nxisin ngjarje të tilla. Ngjashëm, një mësim i katërt është se lobistët e biznesit mund të luajnë pistë në prapaskenë me synim prishjen e marrëveshjeve midis grupeve parlamentare.

Mësimi i pestë: një kulturë politike në të cilën udhëheqësit poshtërojnë kundërshtarët e tyre e dëmton demokracinë.
Në Republikën e Weimar, ky model u vu në jetë para se nazistët të bëheshin një forcë e konsiderueshme. Në 1922, Ministri i Jashtëm, Walther Rathenau, u vra, pasi i ishte nënshtruar një fushate të fortë, shpesh antisemite, urrejtjeje nga e djathta nacionaliste. Menjëherë pas kësaj, kancelari Joseph Wirth, një katolik i qendrës së majtë, iu drejtua partive të krahut të djathtë në parlament, duke iu thënë: “Demokraci – po, por jo lloji i demokracisë që përplas dorën në tryezë dhe thotë: Ne jemi tani në pushtet!

Mësimi i gjashtë: familja e presidentit mund të jetë e rrezikshme.
Në Weimar, feldmarshalli i moshuar, Paul von Hindenburg, u zgjodh president në vitin 1925 dhe u rizgjodh në vitin 1932. Por në fillim të viteve 1930, pas disa goditjeve të vogla, ai vuante nga një sëmundje mendore dhe i biri i tij, i pafuqishëm dhe i pazoti, Oskar, kontrollonte çdo aktivitet të tijin, duke nënshkruar çfarëdo marrëveshje që i paraqitej të atit.

Mësimi i shtatë: një grup revolucionar nuk ka nevojë të ketë një shumicë të përgjithshme për të kontrolluar politikën, madje edhe në sistemin proporcional.
Përqindja më e lartë e votimeve që nazistët kanë arritur ndonjëherë ka qenë 37%, në korrik 1932; në zgjedhjet e tjera që u mbajtën në nëntor, mbështetja e tyre kishte rënë në 33%. Për fat të keq, kjo rënie bëri që partitë e tjera t’i nënvlerësonin nazistët, dhe t’i konsideronin ata si partnerë të mundshëm të koalicionit.

Mësimi i tetë: qeveria mund të mbijetojë duke e blerë një popullsi të pakënaqur për disa kohë, por jo përgjithmonë.
Në epokën e Weimarit, shteti gjerman siguroi strehim bujar komunal, shërbime të qeverisjes vendore, subvencione bujqësore dhe industriale dhe një shërbim të madh civil; por i financoi këto shpenzime përmes borxheve.

 

Shpjegim:

*Në fund të Luftës së Parë Botërore, Kaiser u dëbua nga Gjermania, dhe në 1919 u themelua Republika Weimar. Para vitit 1914, qeveria e Gjermanisë ishte autokraci ushtarake; pas vitit 1919, u bë demokraci parlamentare. Emri rrjedh nga qyteti i Weimar, vendi ku u mblodh për herë të parë asambleja e saj kushtetuese.

Përshtati në shqip: G. Mimi

Burimi: World Economic Forum

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!