Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar një ditë pasi Partia Demokratike e cilësoi si shantazh faktin që ministri ka pasur një takim me truprojën e kreut të opozitës Basha, ku i ka bërë me dije se jeta e Bashës është në rrezik.
“Nuk kam asnjë informacion që Basha është kërcënuar. Takime me truproja të Gardës kam pasur, kjo është puna ime e përditshme, të takoj truproja të Gardës, të pyesë ata për vijimin e punës sime”, ka thënë Lleshaj.
Deklarata është bërë nga qyteti i Vlorës, ku Lleshaj ndodhet për një vizitë pune në terminalin e ri të pasagjerëve në portin e këtij qyteti.
Duke iu referuar letrës së nisur nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, Lleshaj ka pranuar se e ka marrë, por nuk e ka lexuar.
“Letra e e Gazment Bardhit më ka ardhur, e keni dhe në gazetë, por ende nuk e kam lexuar, e përsëris nuk kam asnjë informacion që kryetari Basha të jetë kërcënuar”– ka thënë Lleshaj.