MENU
klinika

'Dhuna ekstremiste në rajon, kërcënim'

SHBA nuk i heq ‘sytë’ nga Ballkani!

20.06.2019 - 21:23

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar Kongresit që ta zgjatin gjendjen e emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, dhuna ekstremiste dhe moszbatimi i marrëveshjeve dhjetëravjeçare në rajon janë një kërcënim i jashtëzakonshëm për vendin.

Ballkani Perëndimor konsiderohet një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.

Në një mesazh drejtuar Kongresit, presidenti Donald Trump u kërkon ligjvënësve që ta zgjatin me një vit urdhrin ekzekutiv për situatën në Ballkan.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shton se rajoni vijon të jetë i destabilizuar gati dy dekada pasi u shpall fillimisht emergjenca kombëtare për rrezikun ballkanas.

Trump: “Ende nuk janë zgjidhur çështjet e sponsorizimit apo mbështetjes së (1) dhunës ekstremiste në ish-republikën e Maqedonisë dhe në gjithë rajonin, (2) zbatimi i marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë dhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, apo hapat për të zbatuar marrëveshjen-kuadër të Ohrit të vitit 2001.”

Presidenti amerikan thekson se aktet e dhunës ekstreme dhe veprimtaritë bllokuese që vërehen në rajonin e Ballkanit Perëndimor kërcënojnë në mënyrë të jashtëzakonshme interesat shtetërore të Amerikës.

Gjendja e emergjencës kombëtare në raport me Ballkanin Perëndimor u firmos nga ish-presidenti Xhorxh Bush me 26 qershor të vitit 2001.

Urdhri origjinal u shoqërua edhe me një listë të personave që mendohet se përmes veprimeve dhe politikave të tyre kanosën rrezikun dhe sigurinë e rajonit, ndaj edhe u është ndaluar udhëtimi apo pronat në SHBA.