Teksa opozita pritet të zhvillojë protestën e 9-të kombëtare, Presidenti Ilir Meta thekson rëndësinë që protesta e sotme e Opozitës së Bashkuar të jetë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune.
Në një deklaratë shpërndarë mediave, Meta apelon protestuesit të vetëpërmbahen e të përqendrohen në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kreu i shtetit thekson se zgjidhja e krizës do të vijë vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit, dhe se ai do të vazhdojë pandërprerë përpjekjet e tij në këtë drejtim.
Deklarata e Plote:
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta çmon se e drejta për të protestuar është e drejtë themelore dhe jetike për demokracinë. Presidenti Meta thekson rëndësinë që protesta e sotme e Opozitës së Bashkuar të jetë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune, si dhe u bën thirrje protestuesve të vetëpërmbahen dhe të përqendrohen në kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Presidenti i Republikës beson se zgjidhja e krizës do të vijë vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit, dhe se ai do të vazhdojë pandërprerë përpjekjet e tij në këtë drejtim.”