Deputeti i Partisë Sopcialiste Ilir Ndraxhi, emri i të cilit lakohet në përgjimet e publikuara nga tabloidi gjerman BILD nga ish i dënuari për vrasje Astrit Avdylaj, është marrë në pyetje nga prokuroria për Krime të Rënda për llogari të hetimeve të dosjes 339.
Mësohet se Ndraxhi u paraqit në institucionin e akuzës ditën e enjte dhe qëndroi përballë dy prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi për afro dy orë duke dhënë shpjegimet e tij për çështjen.
Në përgjimet e prokurorisë që u publikuan nga BILD, dëgjohet Astrit Avbdylaj teksa flet me Arjan Ndraxhin, vëllain e ligjvënësit socialist, të cilin e informon se Iliri do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017.
Biseda ngriti dyshime të forta se është pikërisht Astrit Avdylaj, njeriu që ka ndikuar që Ndraxhi të jetë pjesë e listës, edhe pse deputeti ka mohuar cdo lidhje me anëtarët e grupit kriminal.
Astrit Avdylaj dhe miqtë e tij, të cilët po hetoheshin për trafik droge nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian, u përgjuan teksa flisnin me zyrtarë lokalë në Durrës, për fshirë dhe kryebashkiakun Vangjush Dako.
Referuar përgjimeve, ka dyshime të forta se Astrit Avdylaj, siguronte vota për llogari të Partisë Socialiste, ç’ka mund të ketë sjellë për pasojë edhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 2017.
Prokuroria e cila u detyrua pas zhurmës publike të niste një hetim për shitblerjen e votës në kuadër të grupit kriminal, ka marrë më herët edhe dëshminë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.