Punonjësit e Ambasadës Britanike në Tiranë janë alarmuar sot për shkak të një pakoje me çaj që ka mbërritur në mesditë.
Pakoja e dyshimtë e cila ishte dërguar nga India nuk ishte porositur nga asnjë përfaqësues i personelit ndaj fillimisht u dyshua se në pako mund të kishte lëndë plasëse, ose helmuese. Përmbajtja e saj u mësua vetëm pasi ndërhyri reparti policor i specializuar, për situata të tilla.
Ngjarjen e konfirmon edhe Ambasada Britanike, që shton se është ndjekur protokolli i zakonshëm, duke e referuar ngjarjen tek policia.
Pasi lënda është verifikuar në Laboratorin e Kriminalistikës, u konfirmua se në brendësi të pakos nuk kishte asgjë tjetër veç çajit organik. Sipas policisë çaji ishte porositur në Indi dhe duhej dorëzuar në Maqedoninë e Veriut.