1565 – Turgut Reis, komandant i flotës Osmane, vritet gjatë rrethimit të Maltës (80 vjeç). Karrierën ushtarake, Turgut ose Dragut, e kishte filluar më 1520, kur iu bashkua flotës së shqiptaro osmanit Hajredin Barbarossa, i cili do të bëhet mbrojtësi dhe shoku i tij më i mirë.
Turgut u ngrit shpejt në gradë nga Barbarossa dhe iu dha komanda e 12 anijeve. Në qershor dhe korrik 1538 ai shoqëroi Hajredinin në ndjekje e flotës veneciane në Adriatik, ndërsa morrën disa fortesa përgjatë brigjeve shqiptare, si dhe në Gjirin e Prevezës dhe ishullin Lefkada. Turgut Reis vazhdon të gëzojë famë të madhe dhe respekt në Turqi, ku qyteti i lindjes së tij është quajtur Turgutreis.
1611 – Ekuipazhi i eksploruesit Henry Hudson, në udhëtimin e tij të katërt në Hemisferën perëndimore, ngre krye – ata e vendosin Henrin, djali i tij, dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit besnikë të tij në një barkë dhe e lëshojnë në atë që sot quhet Gjiri Hudson; prej tyre kurrë nuk u dëgjua më përsëri; disa thonë era i shtyu në oqean dhe u mbytën, të tjerë mendojnë se u kapën nga banorët indianët dhe u vranë.
Dy vjet më parë, më 1609, Henry, në udhëtimin e tij të tretë, në kërkim të një rruge detare në Azi, mbërriti në Botën e re dhe zbuloi lumin që do t’i jepte emrin e tij, Hudson. Më shumë eksplorues evropianë dhe kolonë duke ndjekur hartat e Hudsonit, ndërmorën udhëtimet e tyre drejt Amerikës së Veriut.
1625,-Holandezët krijuan një koloni të re, të quajtur New Amsterdam (Nju Jork), në grykën e lumit Hudson. Ata gjithashtu ndërtuan qendra tregtare a limane përgjatë brigjeve aty pranë. Ndërsa Henry Hudson, i cili kurrë nuk gjeti rrugën e tij për në Azi, kujtohet gjerësisht si eksplorues që nxiti interesin evropian në Amerikën e Veriut. Sot emri Hudson ndeshet në rrugë, sheshe, shkolla, ura dhe madje edhe qytete.
1683 – William Penn nënshkruan një traktat miqësie me fiset indiane në territorin që do të merrte emrin e tij, ‘Penn-silvani’, koloni britanike – sot shteti amerikan Pensilvani.
1865 – SHBA; krijohet Shërbimi Sekret, ndërkohë që 1/3 e monedhave në qarkullim në atë kohë ishin të falsifikuara, Shërbimi Sekret u krijua për të kapur falsifikatorët – sot ky shërbim është përgjegjës edhe për ruajtjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
1913 – Lufta e Dytë Ballkanike: Grekët mposhtin bullgarët në betejën pranë liqenit Doiran. Bullgarët u tërhoqën në veri pas disa orë luftimesh. Dorian është liqeni i tretë më i madh pjesërisht në Republikën e Maqedonisë pas liqenit të Ohrit dhe të Prespës.
1940 – Lufta e Dytë Botërore: Udhëheqësi gjerman Adolf Hitler viziton Parisin; ai sapo kishte pushtuar gjithë Francën.
1959 – Klaus Fuchs, i dënuar si spiun në Projektin Manhattan u lirua pas vetëm nëntë vjetësh burg dhe lejohet të emigrojnë në Dresden të Gjermanisë Lindore ku ai e vazhdoi karrierën e tij shkencore.
Projekti Manhaten ishte një program shkencor amerikan për krijimin e bombës bërthamore. Në fillim të vitit 1939, komuniteti shkencor në botë zbuloi se fizikanët gjermanë kishin mësuar të fshehtën e zbërthimit të një atomi uraniumi. Frika u përhap shpejt mbi mundësinë e shkencëtarëve nazistë për ta shfrytëzuar këtë energji për të prodhuar një bombë të aftë për shkatërrime të paimagjinueshme. Shkencëtarët Albert Einstein, i larguar nga Gjermania nga persekutimi nazist, dhe Enriko Fermi, i arratisur nga Italia fashiste, jetonin në Shtetet e Bashkuara.
Ata ranë dakord se presidenti duhet të informohej për rreziqet e teknologjisë atomike në duart e fuqive të Boshtit. Nga Nju Jorku, Fermi udhëtoi në Washington në mars për të shprehur shqetësimet e tij pranë zyrtarëve të qeverisë. Një vit më vonë, Ajnshtajni i shkroi një letër presidentit Roosevelt ku i kërkonte zhvillimin e një programi kërkimor atomik. Roosevelt nuk e pa domosdoshmërinë dhe as dobinë për një projekt të tillë, por ra dakord për të vazhduar ngadalë. Në fund të vitit 1941, përpjekja amerikane për të hartuar dhe për të ndërtuar një bombë atomike mori emrin e koduar – Projekti Manhattan.
Prova e parë e bombës atomike u bë në poligonin Los Alamos, Nevada në maj 1945. Ndërkohë që Gjermania naziste kapitulloi, Japonia ende vazhdonte luftën. Bomba e parë, me urdhër të presidentit Harry Truman, u hodh më 6 gusht 1945 në qytetin Hiroshima të Japonisë – bomba me emrin e koduar “Little Boy” shkaktoi 140,000 vdekur. Bomba e dytë u hodh më 9 gusht 1945 në Nagasaki.
Emri i koduar i bombës ishte “Fat Man” dhe la 74,000 vdekur. Japonia u dorëzua. Sa për Klaus Fuchs, ai u zgjodh anëtar i Akademisë Shkencave gjermano-lindore dhe u emërua më vonë zëvendës drejtor i Institutit për Kërkime Bërthamore në Rossendorf, ku shërbeu deri sa doli në pension në vitin 1979. Ndërsa emri i tij, Fuks, u bë sinonim përçmues (nën zë, në çdo gjuhë) për agjentët a spiunët në shërbim të komunistëve në vendet e Evropës Lindore.
1995 – Vdiq Dr Jonas Salk (81 vjeç), i cili zhvilloi vaksinën e parë kundër polios. Duke pasur parasysh frikën dhe ankthin që Poliomeliti kishte shkaktuar gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, suksesi i vaksinës në vitin 1955 e bëri doktor Salk hero ndërkombëtar. Nga viti 1960, megjithatë, Salk ishte gati për punë të tjera. Ëndrra e tij ishte për të krijuar një qendër të pavarur kërkimore, ku një komunitet dijetarësh të interesuar në aspekte të ndryshme të biologjisë mund të merreshin me studimin e jetës. Instituti sot mban emrin Salk dhe në hyrje të tij qëndron pllakata me këtë mbishkrim: “Shpresa mbështetet në ëndrrat, imagjinatën dhe guximin e atyre që guxojnë për të bërë ëndrrat realitet.”