Konfindustria shprehu të dielën shqetësimin për formulën e zgjedhur të tarifimit te Rrugës së Kombit për bizneset. Sipas administratorit të përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, mënyra e vendosur e tarifimit ka përmasat e një takse të re me përmasa kombëtare.
Konfindustria kërkon që përllogaritja e nivelit të sipërm të tarifës, që do të paguhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga bizneset dhe qytetarët, të mbulonte vetëm vlerën diferencë të kostos së mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit krahasuar me mesataren e kostos së mirëmbajtjes të gjithë rrugëve të vendit. Pjesa tjetër duhet të mbulohej nga buxheti i shtetit. Sipas Buxhukut, mënyra e mësipërme e përllogaritjes se tarifës mbetet e vetmja, që mund të përligjte moralisht vendimarrjen politike për lëvizjen me pagesë në një rrugë të ndërtuar me para publike. Ai kujton se qytetarët dhe bizneset paguajnë cdo vit mbi 120 milionë euro si taksë të qarkullimi të mjeteve për mirëmbajtjen e sistemit rrugor të vendit.
Mënyra e përzgjedhur e përcaktimit të tarifës mban parasysh vetëm pjesërisht kriterin e mësipërm për qytetarët e qarkut të Kukësit, që megjithatë mbetet e lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe Europës. Në rastin e bizneseve nuk është marrë aspak parasysh, duke rënduar drejtpërdrejt në rritjen e kostove të shërbimit dhe prodhimit, që më pas do të përcillen në rritje cmimesh për qytetarët dhe ulje të shkallës së konkurencës të bizneseve, me pasoja deri në falimentime. Gjithashtu, sipas Konfindustrisë, mungesa e plotë e bashkpunimit me qeverinë e Kosovës për mundësinë e uljes së kostove të përgjithshme të menaxhimit si një të tërë të Rrugës së Kombit nga Durrësi deri në kufi me Serbinë, është e papranueshme.
Kalimi i mjeteve në Rrugën e Kombit do të bëhet me pagesë duke filluar nga data 17 shtator. Tarifat do të jenë të përshkallëzuara, në varësi të llojit të përdoruesve dhe të mjeteve. Për banorët e qarkut Kukës dhe linjat interurbane të transportit, tarifa do të jetë 100 lekë për çdo kalim. Përdoruesit e shpeshtë do të përfitojnë ulje deri në 40%, ndërsa për autoveturat tarifa do të jetë 660 lekë.