MENU
klinika

Gaudi

Arkitekti i parajsës në tokë

25.06.2019 - 12:49

      Antoni Gaudi ishte një katolik i zjarrtë, ndërtesat fantastike të të cilit shpërthejnë në ngjyra, liri dhe hedonizëm. Artisti, i cili modeloi Barcelonën pas diktatit të fantazisë së tij eklektike, lindi më 25 qershor 1852, për më tepër konsiderohej eksponenti më i madh i modernizmit katalanas. Është arkitekti më i famshëm urban i kohëve moderne, jo vetëm sepse i dha Barcelonës pamjen e saj, por ngaqë reformoi në mënyrë aktive jetën e qytetit. Ai jo vetëm projektoi vende për të jetuar dhe për t’u lutur, por kërkonte të ndikonte në jetën e një komuniteti të tërë – dhe ia arriti.

Pjesa më e madhe e punës së Gaudit u shënua nga pasionet e tij më të mëdha në jetë: arkitektura, natyra, feja. Studionte çdo detaj në krijimet e veta, duke integruar në arkitekturë një seri të artizanatit, në të cilën ai ishte i aftë si qeramika, qelqi me njolla, prodhim hekuri, zdrukthtari. Një shpërthim i vërtetë stilistik që goditi Barcelonën gati 100 vjet më parë, jo më kot ai Gaudi konisderohet gjeniu i modernizmit – jo “modernizmi”. Në fakt, ai nuk u martua kurrë, ndonëse kishte disa pasione të paarsyeshme, duke çuar një jetë asketiku të zjarrtë katolik.

 

 

 

Prindërit bënë sakrifica të mëdha, që ai të studionte arkitekturë në Universitetin e Barcelonës. Në një qytet të pushtuar nga ndërtimet, nuk ishte e vështirë të gjeje punë si arkitekt dhe shpejt siguroi një rrjet të pasur pronarësh, kryesisht fetarë, mbi të gjitha industrialistin Don Eusebi Güell. Me fjalë të tjera, Gaudi është një nga ata persona, biografia e të cilit nuk na thotë thuajse asgjë në lidhje me punën e tij. Vdiq në vitin 1926, 10 vjet para se të fillonte lufta civile. U godit nga një tramvaj dhe dukej aq i varfër dhe i çrregullt, saqë njerëzit mendonin se ishte një i varfër i pastrehë. Veçse ndërtesa e tij tashmë ishte më shumë se një vepër arti në imagjinatën e qytetit: ajo shihej, me të drejtë, të ishte disi në anën e njerëzve, në vend që të kapardiste fuqinë dhe pasurinë e kishës. Një pikturë e vitit 1898, nga Joaquim Mir, tregon njerëz të uritur, të rrëmujshëm që ulen rreth ndërtesës së “Sagrada Familia” të papërfunduar; piktura titullohet “Katedralja e të varfërve”. Peizazhet e varfërisë urbane të Mirit i përngjajnë përkufizimit të të  margjinalizuarve në pikturat e Pikasos të “Periudhës Blu”, – homazhe ndaj të varfërve të Barcelonës. Pra, njëlloj si ai, Gaudi kapi tragjedinë dhe krenarinë e këtij qyteti.

 

 

 

 

 

Barcelona e Antoni Gaudit “Arkitektit të Perëndisë” në disa nga veprat më të bukura:

“Casa Vicens” (1883-1888), ishte puna e parë e rëndësishme e Gaudit. Ndërtesa është në stilin modernist, por kombinon me elemente gotike me stil mesdhetaro-islamik. Arkitekti i trajton në mënyrë të veçantë qoshet e shtëpisë, duke shmangur ngurtësinë e paralelpipedit. Për parmakët e hekurt u frymëzua nga natyra rreth e rrotull, duke u dhënë formën e gjetheve të palmës. Edhe zbukurimet e brendshme nuk janë më pak mbresëlënëse, duke pasur si temë kryesore sërish natyrën.

“Sagrada Familia” (1883-ende në ndërtim e sipër). Tempulli i “Sagrada Familia” në Barcelonë është një bazilikë e madhe katolike në ndërtim e sipër. Ajo konsiderohet kryevepra e Antoni Gaudit. Është një nga simbolet kryesore të qytetit, si dhe monumenti më i vizituar në Spanjë. Duke u përfshir si projektues në 1883, në moshën 31 vjeçare, arkitekti e riprojektoi tërësisht planprojektin, për të cilin punoi gjatë gjithë jetës. Sipas Komitetit të Nxitjes, puna mund të përfundojë, më e mira e mundshme, në vitin 2026, 144 vjet pas vendosjes së gurit të parë.

 

 

 

 

 

 

Parc Güell” (1900-1914) është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. E projektuar në fillim të shekullit XX, duhej të ishte bërë një qytet-kopsht. E ndërtuar mes viteve 1900 dhe 1914, fillimisht ishte një qytet-kopsht sipas modelit anglez. Gaudi u punësua nga mbrojtësi i tij, industrialisti Eusebi Güell, i cili kishte blerë një kodër në veri të qytetit. Projekti i përgjithshëm i vendbanimit përfshinte shtëpi, studio, një kishë dhe një park, për një total prej 60 banesash, por vetëm një nga lotet u ble dhe vetëm dy banesa u përfunduan. Qyteti i Barcelonës e bleu atë në 1922, duke e kthyer në një park publik.

 

“Casa Batllo” (1904-1907) po ashtu ndodhet në Barcelonë dhe konsiderohet si një nga veprat më origjinale të arkitektit të famshëm. Ndërtesa u shpall në vitin 2005 Trashëgimi Botërore e UNESKO-s.

 

 

 

“Casa Mila” (1906-1912), e quajtur “La Pedrera” (gurore guri). Gaudi e projektoi shtëpinë duke iu përmbajtur besimit në modernizmin katalanas, duke lartësuar katërcipërisht frymën e tij inovative si në aspektin e strukturave, formave dhe zbukurimeve arkitekturore, ashtue dhe në adoptimin e vijës së lakuar si një element themelor, i cili të kujton imazhin e valëve të detit./Konica.al

 

Gaudi thoshte se vija e drejtë i përket njerëzve, e harkuara Perëndisë

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale