MENU
klinika

SVETLANA ALEXIEVICH

Mbi betejën e humbur…

09.09.2018 - 18:54

SVETLANA ALEXIEVICH

(Nga fjala e Nobelistes në marrjen e çmimit, 7 dhjetor 2015)

Përktheu Granit Zela

“Jetonim afër termocentralit bërthamor të Çernobilit. Punoja në një ëmbëltore, bëja pasta. Im shoq ishte zjarrfikës. Sapo ishim martuar, dhe ecnim dorë për dore edhe kur shkonim në pazar. Ditën që reaktori shpërtheu, im shoq ishte në punë tek zjarrfikëset.

Ata iu përgjigjën thirrjes për ndihmë ashtu si u gjendën atë çast veshur me rrobat e zakonshme të punës, me këmisha me mëngë të shkurtra, kishte ndodhur një shpërthim në termocentralin bërthamor, por askush nuk u dha veshje të posaçme.

Kjo ishte jeta jonë …. Ja kjo… Ata luftuan gjatë gjithë natës me flakët, dhe morën në trup rrezatim bërthamor që të merr jetën. Mëngjezin tjetër u dërguan me helikopter drejt e në Moskë. Rrezatim i shkallës së rëndë… nuk jeton më shumë se pak javë… Im shoq ishte i fortë, atlet, dhe vdiq i fundit ndër ta. Kur arrita në Moskë, më thanë që e kishin futur në një dhomë të veçantë izolimi ku nuk lejohej të hynte askush. “Por unë e dua”, iu luta. “Ushtarët po kujdesen për ta.

Si ta merr mendja se do të hysh atje?” “Është burri që dua.” Debatuan me mua: “Ky nuk është më burri që ti do, por një objekt që duhet të ç’intoksikohet. E kupton?” Ia thoja vetes të njëjtën gjë pa pushim: E dua, e dua… Netëve, ngjitesha nëpër shkallët e emergjencës për ta parë…Ose u kërkoja rojeve të natës…

I paguaja që të më linin të hyja brenda… Nuk e braktisa, i ndenja afër deri në fund… Pak muaj pas vdekjes, linda një vajzë të vogël, ajo jetoi vetë pak ditë. Ajo… Më ngjalli aq shumë emocione, dhe isha unë që e vrava…

Ajo më shpëtoi, thithi gjithë rrezatimin në trupin tim. Ishte kaq e vogël, vogëlth, e vogël-o…. Ishin dy njerëzit që doja më shumë. A mund të vrasësh me anë të dashurisë? Pse vdekja dhe jeta janë kaq pranë njëra-tjetrës? Ato janë gjithmonë bashkë. Kush mund ta shpjegojë? Tek varret e tyre bie gjithmonë në gjunjë…”.