Një delegacion i gjerë gjerman në krye me zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, qëndruan në Kosovë ku zhvilluan takime me udhëheqësit më të lartë politikë të Kosovës.
Takimet u zhvilluan larg syrit të medies në Prishtinë, ndërsa, pas takimit me kryeministrin Haradinaj, ky i fundit nëpërmes një njoftimi për medie thotë të jetë diskutuar, pos bashkëpunimit bilateral dhe çështjes së liberalizimit edhe dialogu Kosovë-Serbi.
“Ndër temat e takimit ishte edhe liberalizimi i vizave, rruga euroatlantike e Kosovës, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, si dhe arritja e një marrëveshjeje finale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i hapte perspektivë të dyja vendeve në rrugën e integrimeve evropiane”, thotë kryeministri Haradinaj.
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, në këtë vizitë në Kosovë shoqërohej me një delegacion të përfaqësuesve politikë të partisë në pushtet CDU-së dhe disa ndërmarrës dhe ekspertë nga arsimi.
Asnjë nga ta nuk folën për medie, por kryeministri Haradinaj, thotë se Gjermania vazhdon ta përkrahë Kosovën në të gjitha periudhat, në të njëjtën kohë kërkoi edhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e edukimit, zhvillimit ekonomik dhe atë politik.
- Gjermania do të vazhdojë përkrahjen e Kosovës
“Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, dhe delegacioni gjerman vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona duke thënë se Gjermania do të vazhdojë përkrahjen e Kosovës në aspektin ekonomik dhe perspektivën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftimin për medie të kryeministrisë.
Vizita në Kosovë e delegacionit gjerman të kryesuar nga zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, ndodh pas konfirmimit për anulim të takimit të Parisit vazhdimësi e Samitit të Berlinit dhe ku do të duhej të flitej vetëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Të dyja vendet po kërkojnë të gjejnë fajtorin për anulimin e këtij takimi të akuzuar njëra tjetrën.
E ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën”.
“Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”.
Presidenti i Kosovës, vazhdon të jetë i bindur se këtë vit mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë, në të kundërtën gjerat sipas tij do të përkeqësohen.
“Ne duam që një herë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu që do t’i ketë afatet kohore të qarta, objektivat precize, garancat dhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë gjithë rajonin”, tha presidenti Thaçi në një konferencë që po mbahet në Prishtinë e ku po flitet për të ardhmen e rajonit.
- Vuciç fajëson Kosovën
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciç, nga ana e tij fajëson Kosovën për anulimin e takimit të Parisit dhe këtë e ndërlidhë pikërisht për refuzimin e Prishtinës që ta heq taksën ndaj Serbisë.
“Gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato”, është shprehur Aleksandër Vuciq.
E kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se “Kosova është palë serioze me partnerët ndërkombëtarë”.
“Sa i përket Samitit të Parisit, besoj se është një punë shumë palëshe. Por, ju siguroj që askush smund ta drejtojë gishtin nga Kosova, pra Kosova është treguar palë serioze në përgatitjet e veta, pikërisht sa i përket Samitit të Parisit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Sipas tij, taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet, ndërsa, e ka cilësuar si tejet të gabuar idenë që është tentua që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë”.
“Ishte gabim që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës të paraqitej si pjesë e dialogut me Serbinë. Mbrojtja e këtyre shtyllave të shtetit ka një çmim dhe sot populli i Kosovës është krenar që këto i ka prapë të pacenuara. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës duke bërë pazar me sovranitet dhe integritet është i madh, por bashkë jemi vënë në mbrojtje të shtetësisë, integrimeve euro-atlantike dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Sidoqoftë, tani për tani është e paqartë e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi, sidomos pas anulimit të takimit të Parisit që ishte paraparë të mbahej me një korrik dhe ku e vetmja temë ishte përpjekja për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.