Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj u shpreh se Shqipëria nuk duhet të bëjë hapa pas për interesa partiake, por duhet angazhim për interesin kombëtar.
Duke folur për zgjedhjet e 30 qershorit në konferencën për shtyp me ministrin e Jashtëm të Hungarisë Peter Szijjarto, Cakaj u shpreh se duhet të ketë përparësi agjenda evropiane e vendit përpara çfarëdo llogaritjeje politike.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Cakaj falenderoi Hungarinë për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit, por tha se ndihma e miqve të Shqipërisë duhet të shoqërohet me përpjekje, vullnet dhe veprime politike të brendshme që nuk pengojnë, por ndihmojnë në hapjen e negociatave.
Ministri në Detyrë vlerësoi lartë bashkëpunimin me Hungarinë.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe me Ministrin Szijjarto kemi zhvilluar një cikël takimesh që kanë përfunduar me nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe jemi në proces shqyrtimi të mundësive të reja të bashkëpunimit,” theksoi ndër të tjera Cakaj.
Nga ana e tij, ministri hungarez konfirmoi mbështetjen ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave.