MENU
klinika

Në prag të samitit G20

Francë-Japoni, plan pesëvjeçar bashkëpunimi

26.06.2019 - 16:11

Japonia dhe Franca ranë dakord të mërkurën për të rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë detare, duke publikuar një plan udhërrëfyes pesëvjeçar për një partneritet që mbulon gjithashtu çështje që variojnë nga tregtia globale deri tek ndryshimet klimatike.

Marrëveshja u arrit nga udhëheqësit e të dy vendeve, kryeministri Shinzo Abe dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë një takimi në zyrën e Kryeministrit në Tokio.

Japonia dhe Franca po kërkojnë të thellojnë lidhjet në sigurinë detare dhe të ndihmojnë vendet në zhvillim me përmirësimin e infrastrukturës, ndërkohë që rritet ndikimi i Kinës në rajonin Indo-Paqësor.

Sipas një drafti, fushat në të cilat të dy vendet do të punojnë së bashku, gjithashtu përfshijnë hapësirën kibernetike.

Në fillim të bisedimeve, Abe, i cili gjithashtu do të kryesojë takimin e G20 në Osaka të premten, i tha Macronit se dëshiron të drejtojë diskutimet në Osaka së bashku me presidentin francez, i cili aktualisht është kryetar i Grupit të shtatë vendeve të industrializuara.

Të dy udhëheqësit gjithashtu konfirmuan se do të punojnë drejt suksesit të samitit të G20, pavarësisht nga sfidat e vështira të theksuara nga lufta e vazhdueshme tregtare e SHBA-Kinës.

Konferenca dy-ditore gjithashtu do të përqëndrohet në çështjet globale, duke përfshirë mbeturinat plastike detare dhe reformat në Organizatën Botërore të Tregtisë.