Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaroi se Kosova është gati për t’u bërë pjesë e OKB-së me rolin e saj konstruktiv në rajon prej 20 vjetësh që ka fituar lirinë e saj.
Pacolli këtë e tha në Forumin e Crans Montanas në Gjenevë të cilën e shfrytëzoi për t’iu drejtuar edhe zyrtarëve spanjollë të pranishëm./
“Kosova nuk ka lidhje me Katalonjën sepse ne kemi dalë nga një periudhë e gjatë represioni kolonial, i cili kulmoi me gjenocid në vitin 1999”, u shpreh Pacolli.
Gjatë fjalimit të tij, Pacolli e njohu audiencën me arritjet e vendit nga shpallja e pavarësisë, njohur ndërkombëtarisht nga 116 shtete, ashtu dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Ai ftoi vendet afrikane që ende nuk e kanë bërë, të njohin Kosovën dhe të vendosin me marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat, madje dhe në atë universitare.
“Forumi i Cransmontanës, këtë vit me iniciativën tonë do të zhvillohet në Prishtinë, duke e shndërruar Kosovën në një adresë globale të paqes dhe dialogut mes akterëve të ndryshëm shtetërorë apo socialë anembanë botës”, njoftoi Pacolli.