Rreth 78 ankesa të bizneseve janë depozituar apo janë trajtuar nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, vetëm gjatë muajit maj.
Bizneset pretendojnë se janë gjobitur padrejtësisht dhe kërkojnë ndihmën e ministrisë për rishikon e vendimin. Sipas raportit mujor të publikuar nga ky dikaster, numri i ankesave mbetet thuajse i njëjtë me krahasim me një muaj më parë, ku u regjistruan 83 ankesa.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo e Turizmit dhe Mjedisit apo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, janë disa prej institucioneve, ndaj të cilëve biznesi ka depozituar numrin më të lartë të ankesave.
Ndërkohë që, ajo që bie në sy është pakënaqësia e subjekteve edhe ndaj Kryeministrisë apo bashkisë, për të cilët gjithashtu janë depozituar ankesa.
Ndërkohë që, natyra e problematikave të ngritura varion sipas dikastereve, ku nuk mungojnë gjobvëniet e padrejta, rimbursimi i TVSH-së apo mos shlyerja e faturave për punë të kryera publike.
Ndërkaq, për muajin maj ministria raporton një sërë takimesh me shoqatat e biznesit, në lidhje me problematikat që ato hasin, duke u fokusuar kryesisht te stimulimi i investimeve në vendin tonë dhe rritja e sigurisë juridike të pronës apo edhe zgjidhja e problematikës së tej zgjatur për udhëzimin e instalimit të paneleve fotovolatikë për nevoja autokonsumatore.