Shumë afër qendrës së Tiranës, në njësinë nr.10, Drejtoria e ASHK-së, Tirana Jug ka finalizuar legalizimin dhe hipotekimin e një prej pallateve të ndërtuar nga firma “Kristian Construction” në vitin 2002.
Prej 17 vitesh banorët e këtij pallati nuk kanë mundur të marrin dokumentin e pronësisë, për shkak shkeljes të punimeve në ndërtim, përtej lejes së miratuar nga Bashkia Tiranë.
Dje, drejtori i ASHK-së Tirana Jug, Mariglen Disha ka organizuar një takim me banorët për t’ju dorëzuar lejen e legalizimit të apartamenteve dhe njësive të shërbimit që kanë blerë para dy dekadash.
Referuar VKM nr. 19 drejtoria përgjigjëse, pasi i bëri thirrje administratorit të kompanisë së ndërtimit, i cili nuk iu përgjigj kërkesës së institucionit, procesi i legalizimit vijoi në emër të banorëve.
(Foto e pallatit nga Fiks Fare)
Nuk do të ishtë e lehtë për drejtorinë që të vazhdonte punën, nëse banorët e pallatit nuk do të zgjidhnin një përfaqësues (administrator) për të mbajtur kontakt me ASHK-në për plotësimin e dokumentacioneve. Dje u dorëzuan 40 leje legalizimi, ndërkohë që po vijohet puna për të legalizuar të gjitha njësitë.
“Kristian Construction” ka aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës në vitin 2006 për legalizim të shtesave pa leje në objekt, me leje ndërtimi të KRRT, në rrugën “Him Kolli”.
Me këtë rast, ASHK bën thirrje për çdo banor të cilët nuk kanë me hipotekë apartamentin e tyre, të bëhen sëbashku me banorët e pallatit për të finalizuar në një kohë të shkurtër hipotekimin e banesave të tyre.