MENU
klinika

Deklarata nga Fieri

“30 Qershori një skenar ’97-e?”/ Rama sqaron gjithçka

27.06.2019 - 21:46

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka folur sërish për përgjimet e gazetës gjermane “BILD”.

Në takimin e fundit elektoral në Fier, Rama tha se këto përgjime ishin pjesë e planit të opozitës për të terrorizuar vendin dhe miqtë më të afërt të Shqipërisë, gjermanët.

Sipas tij, PS ka bërë gabime dhe do vazhdojë të bëjë, por nuk ka hedhur kurrë as edhe një firmë të vetme kundër interesit kombëtar.

Më tej, kryeministri ka siguruar shqiptarët se më 30 qershor nuk do të ketë përsëritje të ’97-ës apo ’98-ës, por sipas ti, qytetarët do ua bëjnë tetë me dy atyre që gatuan këtë çorbë.

“PS ka pasur gabime të mëdha, suksese të mëdha, dështime të mëdha, por në asnjë moment nuk e gjen në tradhti të interesit kombëtar. Gabime do bëjmë prapë, por as dje, as sot, as nesër, një firmë e imja nuk është bërë për t’i rënë në qafë këtij populli, për të plaçkitur pasuritë e këtij vendi.

Ne nuk mbrojmë askënd kur vjen puna te drejtësia. Ato përgjimet u përdorën për planin, për t’i çuar në Gjermani, aty ku janë miqtë më të fortë të vendit, për të terrorizuar njerëzit.

Në vend që të trajtoheshin nga drejtësia, u kthyen në pjesën e planit. Ata janë bashkë kundër interesit kombëtar, ne jemi me të drejtën. Nuk ka për të pasur as ’97 e as ’98, por vetëm një tetë me dy që do ja bëjë populli atyre që gatuan këtë çorbë. Ne jemi me popullin”, ka mbyllur Rama fjalën e tij.