Të dielën tjetër në Greqi zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku ndër kandidatët është edhe bashkatdhetari ynë Fatos Malaj.
Kandidati për deputet me koalicionin “Lëvizja për Ndryshim” nën kryesinë e Fofi Gjenimatas, ka zhvilluar një takim elektoral në qendër të Athinës.
Malaj ka shprehur vizionin e tij politik, me një sërë propozimesh për fuqizimin e procesit integrues të komuniteteve emigrante në vend, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të jetesës për mbarë popullin grek, në periudhën pas krizës.
Me qindra emigrantë shqiptarë kanë ndjekur aktivitetin, duke shprehur kënaqësinë për këtë kandidim.
Të pranishëm ishin edhe mjaft qytetarë grekë, si dhe disa kandidatë për deputetë në listën e “Lëvizjes për ndryshim”. Fatos Malaj, falënderoi të pranishmit për mbështetjen në betejën e vështirë, duke pranuar se është e madhe.
“Prania e emigrantëve në strukturat e partive politike, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje dhe hyrja në parlament, është e dobishme për të gjithë. Problemet e integrimit dhe të emigracionit mbeten të hapura në Greqi dhe duhet të trajtohen urgjentisht. Politika e emigracionit ka nevojë për një dialog të hapur me përfaqësuesit e emigrantëve, që i njohin në thellësi problemet e integrimit e që kanë plan konkret për integrimin në shoqërinë greke”, tha Malaj.
Në takim përshëndetën aktori i njohur Viktor Zhusti dhe kampioni i botës në peshëngritje, Leonidha Shabani. Aktiviteti u mbyll me thirrjen e Fatos Malaj t’i besojnë një zëri ndryshe në parlamentin grek si dhe sloganin e fushatës “Bashkë jetojmë. Bashkë ndryshojmë”.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 korrikut, në Greqi, garojnë 20 parti dhe 4 koalicione.
Sondazhet parashikojnë ardhjen në pushtet të opozitares “Demokracia e Re”, sidomos pas humbjes qeverisëses SYRIZA në zgjedhjet Europarlamentare të majit, me diferencën historike për vendin 9.35%.