Ka nisur zyrtarisht në orën 07:00 procesi i votimit në vend. Janë hapur qendrat e votimit, sikur është e parashikuar në ligj, ndërkohë që sot votohet për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive në vend.
Zgjedhjet lokale sot zhvillohen në 61 bashki për këshillin dhe kryetarët në mbarë vendin, por garë ka vetëm në 30 bashki, pasi në 31 të tjera Partia Socialiste është e vetmja që ka kandidat. Mes 97 kandidatëve për kryebashkiakë, vetëm 10 janë zonja. 23 prej socialistëve janë rikandidime.
Në të gjithë vendin pritet të hapen 5417 Qendra votimi, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme KQZ njoftoi se, sipas Kodit Zgjedhor u shpërndanë materialet zgjedhore në 90 KZAZ.
Të drejtën për të shkuar te kutia e votimit e kanë 3.464.328 qytetarë shqiptarë.
Ata do të vendosin shenjën e tyre në dy fletë votimi: për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive, si dhe parlamentet lokale, pra këshillat bashkiakë. Në zgjedhje marrin pjesë gjithsej 36 parti. Ato janë të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane drejtuar nga PS dhe që përmban dhe 19 parti të tjera, Koalicioni Shpresa për Ndryshim me 6 parti, e udhëhequr nga Aleanca Kuq e Zi, ndërsa 9 parti garojnë jashtë koalicioneve.
Partia opozitare që garon për herë të parë është Bindja Demokratike e Astrit Patozit, që garon me kandidatë në 22 bashki të vendit.
Pavarësisht se data e zgjedhjeve nuk ndryshoi bashkitë e drejtuar nga të djathtët thonë se do të zbatojnë dekretin e Presidentit dhe në këto ditë ka pasur mjaft përplasje nëpër KZAZ, ku simpatizantët e PD nuk kanë lejuar e kanë djegur materialet zgjedhore në disa qendra votimi.
Në Qarkun Shkodër, rezulton që rreth 50% e qendrave të votimit vazhdojnë ende të mbahen të mbyllura nga autoritetet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje kryetares së bashkisë Shkodër të bashkëpunojë në respekt të ligjit.
Sipas KQZ-së, në bazë të Kodit Penal këto veprime konsiderohen vepër penale; shpërdorim detyre dhe pengim i subjekteve zgjedhore..