Kryeministri Edi Rama ka dalë para shqiptarëve mbrëmjen e sotme, 2 orë pas mbylljes së votimit duke deklaruar se sot fitoi e ardhmja.
“Të nderuar bashkëqytetarë me ose pa përkatësi e bindje politike brenda ose jashtë atdheut ku ndodheni.
Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike të frymëzuar, të nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të pop shqiptar në familjen e popullit të Europës.
Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës e cila u kthye në muaj pas muaj në ditën kulmore të një përplasje historike mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes qytetarisë dhe harbutërisë, mes politikës së forcës dhe forcës së politikës, mes dhunës kërcënuese të së djeshmes dhe shpresës së natyrshme të së nesërmes, mes Shqipërisë së djeshme mes fantazmave dhe Shqipërisë që duam për të gjithë fëmijët.
Sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, forca e politikës, qytetaria, fitoi shpresa. Fitoi me të drejtë e dinjitet Shqipëria e të ardhmes evropiane, Humbi Shqipëria e djeshme pa din e pa iman”.