MENU
klinika

Dhe efekti arrogancë

Tri llojet e paditurisë mbi ekonominë

24.08.2018 - 18:00

Nga Steven Horwitz*
Asgjë nuk më nervozon më shumë se padituria e tejskajshme ekonomike.

E di që nuk jam vetëm. Konsideroni kriticizmin e justifikuar që Bernie Sanders mori në mediat sociale për pyetjen se pse kreditë e studentit jepen me norma interesi prej 6 ose 8 ose 10 për qind, ndërsa një hua për shtëpi mund të merret për vetëm 3 për qind. (Përgjigjja, sigurisht, është se një hua për shtëpi ka kolateral në formën e një shtëpie, prandaj është një kredi me rrezik më të ulët për huadhënësin se një hua studentore, e cila nuk ka kolateral dhe prandaj kërkon një normë më të lartë interesi për të mbuluar një rrezik më të lartë).

Kur bëhet fjalë për paditurinë ekonomike, liberalët shpejt përsëritin vëzhgimin e famshëm të Murray Rothbard mbi këtë temë:

Nuk është krim të kesh padituri në ekonomi, e cila është, në fund të fundit, një disiplinë e specializuar dhe e tillë që shumica e njerëzve e konsiderojnë si një “shkencë e zymtë”. Por është tërësisht e papërgjegjshme të kesh një mendim të zhurmshëm dhe të plotfuqishëm mbi subjektet ekonomike, në këtë stad të paditurisë.

Padituria ekonomike vjen në forma të ndryshme dhe disa lloje të saj janë më pak të justifikueshme se të tjerat. Por implikimi më i rëndësishëm i pikëpamjes së Rothbard është se padituria ekonomike më e keqe është padituria për paditurinë tuaj ekonomike. Ka shkallë të ndryshme të fajësisë për mosnjohjen e gjërave të caktuara në lidhje me ekonominë, por ajo që gjithnjë është e papranueshme është të mos e pranosh se nuk di sa kur flet me autoritet, apo të mos kuptosh kufijtë e dijes ekonomike.

Le të shqyrtojmë tri llojet e ndryshme të paditurisë ekonomike përpara se të kthehemi në problemin e mosdijes së asaj që nuk dini.

1. Çfarë nuk debatohet

Le të fillojmë me llojin më pak të justifikueshëm të paditurisë ekonomike: mosnjohjen e teorive të pajtuara ose rezultateve në ekonomi. Nuk mund të jenë shumë, por ka më shumë se jospecialistët ndonjëherë besojnë. Paaftësia e Bernie Sanders për të kuptuar pse kreditë e pakolateralizuara kanë norma më të larta interesi do të bjerë në këtë kategori, pasi kjo është një kërkesë e pranuar në ekonominë financiare. Bashkimi i tregtisë së lirë të Donald Trump-it (dhe Sanders-it gjithashtu) do të ishte një shembull tjetër, pasi ideja se nga tregtia e lirë përfitojnë vendet tregtare në tërësi dhe me kalimin e kohës është një tjetër tregues i fuqishëm në ekonomi.

Trump dhe Sanders, dhe shumë të tjerë, të cilët kanë pretendime mbi ekonominë, por që mbeten injorantë për mësimet themelore si këto, duhet të konsiderohen si shumë të dënueshëm për atë injorancë. Por dështimi më i thellë i shumë personave që bëjnë gabime të tilla është se ata janë injorantë të injorancës së tyre. Shpesh, ata as nuk e dinë se ka rezultate të dakorduara në ekonomi, për të cilat ata nuk janë në dijeni.

2. Interpretimi i të Dhënave

Një lloj i dytë i paditurisë ekonomike që është, sipas mendimit tim, më pak fajësues është mosnjohja e të dhënave ekonomike. Siç vëren Rothbard, ekonomia është një disiplinë e specializuar, dhe nuk mund të pritet që jospecialistët t’i njohin të gjitha teoritë dhe faktet relevante. Ekzistojnë shumë të dhëna ekonomike për t’u kontrolluar, dhe shpesh këto të dhëna kërkojnë një interpretim statistikor të kujdesshëm për t’u zbatuar lehtësisht në çështjet e politikës publike. Burimet e të dhënave ekonomike gjithashtu kërkojnë interpretim teorik. Të dhënat nuk flasin vetë – ato duhet të integrohen në një histori shkak-pasoje nëpërmjet kornizës së teorisë ekonomike.

Thënë kjo, në botën e internetit, shumë të dhëna bazë ekonomike janë në dispozicion dhe jo aq vështirë për t’u gjetur. Problemi është se shumë njerëz besojnë se disa fakte empirike janë të vërteta dhe nuk shohin nevojën për t’i verifikuar ato duke kontrolluar të dhënat. Për shembull, Bernie Sanders kohët e fundit pohoi se amerikanët punojnë në mënyrë rutinore në javët e punës 50-60-orëshe. Pa dyshim, disa amerikanë aq punojnë, por javët mesatare të punës janë më pak, mesatarja aktuale është rreth 34 orë në javë. Jetëgjatësia e shtuar dhe më pak vite pune midis shkollës dhe daljes në pension kanë nënkuptuar gjithashtu një reduktim të orëve të punës gjatë jetës dhe një rritje të kohës së lirë për amerikanin mesatar. Këto të dhëna janë lehtësisht të disponueshme në një shumëllojshmëri faqesh interneti.

Problemi i interpretimit statistikor mund të shihet me të dhënat mbi pabarazinë ekonomike, ku njerëzit gabimisht marrin fotografitë statike të pjesëve të të ardhurave kombëtare të të pasurve dhe të varfërve si dëshmi për rënien e standardit jetësor të të varfërve ose aftësisë së tyre për të ecur përpara dhe për të dalë nga varfëria.

Njerëzit të cilët dëshirojnë të mësojnë për çështje të tilla mund të falen përsëri për mosnjohjen e të gjitha të dhënave në një disiplinë të specializuar, por nëse zgjedhin të angazhohen mbi temën, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për kufizimet e tyre, duke përfshirë aftësinë e tyre për të interpretuar të dhënat që po diskutojnë.

3. Shkollat e ndryshme të mendimit ekonomik

Tipi i tretë i paditurisë ekonomike, dhe më pak i dënueshmi, është padituria e perspektivave të shumëfishta brenda disiplinës së ekonomisë. Ka shumë shkolla të mendimit në ekonomi, dhe shumë pyetje empirike dhe fakte historike kanë një shumëllojshmëri shpjegimesh. Pra, një film si The Big Short që në mënyrë të qartë sugjeron se kriza financiare dhe Recesioni i Madh u shkaktuan nga mungesa e rregullores mund të jetë bindës për njerëzit që nuk kanë dëgjuar asnjë shpjegim alternativ që fajëson kombinimin e politikës së Rezervës Federale dhe ndërhyrjen e gabuar të qeverisë në tregun e banesave lidhur me këto probleme. Dikush mund të nxjerrë ngjashmëri mes Depresionit të Madh dhe dallimit midis shpjegimeve hajekiane dhe kejnesiane të cikleve të biznesit më në përgjithësi.

Këto çështje që përfshijnë shkollat e mendimit janë shembuj të shkëlqyeshëm të pikëpamjes së Rothbard për natyrën e specializuar të ekonomisë dhe atë që mund dhe nuk mund të pritet të njihet nga specialistët. Në të vërtetë, është jorealiste të presësh nga një joekspert të njohë të gjitha argumentet e shkollave të ndryshme të mendimit ekonomik.

Kombinimi i Paditurisë me Arrogancën

Ajo që mungon nga të gjitha këto lloje të paditurisë ekonomike – dhe ajo që shpesh mungon nga vetë ekonomistët e ditur – është ajo që ne mund ta quajmë “përulësia epistemike” ose gatishmëria për të pranuar sa pak dimë. Asnjë ekonomist shpesh nuk është në gjendje të njohë sa pak di për ekonominë dhe ekonomistët shpesh nuk janë në gjendje të pranojnë se sa pak dinë për ekonominë.

Ekspertiza reale ekonomike nuk është thjesht zotërim i teorive dhe fakteve. Është një kuptim më i thellë i shumëllojshmërisë së interpretimeve të këtyre teorive dhe fakteve dhe përulësisë përballë kufijve tanë në zbatimin e asaj dijeje në përpjekjen për të manaxhuar një ekonomi. Ekonomistët më të mençur janë ata që njohin kufijtë e ekspertizës ekonomike.

Komentuesit me mendime mbi çështjet ekonomike, qofshin kandidatë presidencialë apo miq të Facebook, mund të tregojnë se mund të kenë paragjykime ose pika të verbra që çojnë në përdorim të të dhënave ose kornizave interpretuese me të cilat ekspertët mund të mos pajtohen.

Lloji më i keq i paditurisë ekonomike është lloji i paditurisë që është më i keqi në të gjitha fushat: të qenët të paditur mbi paditurinë vetjake.

____

* Steven Horwitz është Profesor i nderuar i Sipërmarrjes së Lirë në Departamentin e Ekonomisë në Ball State University, ku është gjithashtu anëtar në Institutin John H. Schnatter për Ndërmarrësi dhe Sipërmarrje të Lirë. Ai është autor i “Familja Moderne Hayek: Liberalizmi Klasik dhe Evolucioni i Institucioneve Sociale”.

Përshtati në shqip: G. Mimi

Burimi: fee.org