MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Vdekja e Plakut Dritëro!

03.02.2017 - 08:48

Unë do vete ne Ndriti – tha im atë. Kështu ja thoshte dhe ja ka thënë gjithnjë emrin. Vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë. Ishte mjerimi i fundit që kish zënë shtëpinë që mbahej vetëm me rrogën e tim eti, që punonte në këneta. Me një nënë të sëmurë që më shumë rrinte në shtrat se në këmbë dhe me një familje të internuar për 50 vjet rresht. Ishte së fundmi puna e Mentorit, të cilit ashtu si dhe mua nuk i jepnin të drejtë studimi për shkak të gjyshit të arratisur.

Unë e shikoj me hidhërim tim atë, një fshatar me dy klasë, që shpresonte te një komunist në krye të sistemit, po nuk i them dot gjë dhe kokëulur ndaj mjerimit të tij, e çoj në Tiranë.

Dritëroi erdhi shumë herë për Mentorin në Lushnjë dhe shumë herë në Kolonjë, nga ishte origjina ime. Erdhi në shtëpinë time në periferi të Lushnjës afër ca kasolleve të mjera, ku për të mbajtur me kurajo dy prindër të varfër, zinte dhe këndonte me tim atë duke çuditur fqinjët dhe inatosur partiakët e rrethit. Nuk e ndihmoi dot Mentorin për shumë vite, por prapë nuk dorëzohej.

Nuk ishte vetëm bamirësi dhe mbrojtësi i vecantë i shtëpisë time. Shumë prej atyre që u bënë një zë për vëndin, ja dinë për nder atij ndihmën për shkollën apo luftën për të zhvilluar talentin e tyre. Një ditë e takova në Tiranën e atyre viteve të dikurshme. Shkonte përpara duke tymosur dhe prapa vinte një djalë rreth të pesëmbëdhjetave. Ku shkon e pyeta? Ti gjej këtij djalkës një fizarmonikë. Duhet ti shkund ca ata dhe tregoi me gisht në vëndin ku po shkonte.

Kohë më vonë ashtu si për Mentorin erdhi në Lushnjë për një piktor që nuk ja hapnin ekspozitën për shkakun e gjyshit të pushkatuar. Nuk vinte njeri nga partia e rrethit. Dritëroi ndënji aty për dy orë në këmbë dhe më në fund nga turpi partia lokale erdhi.

Dëgjo ti budalla i mjerë- i tha pastaj në darkë sekretarit të partisë së rrethit, një konservatori të lig, -nesër unë nuk do jem anëtar i Komitetit Central të Partisë dhe ti nuk do të jesh sekretar i saj, sepse parti nuk do të ketë. Po sillu si burrë i mirë që të kujtojë po për mirë njerëzia. Unë do ti paguaj mëkatet e mia të cilat i ka bërë dhe Tolstoi që paguante taksë për Carin, për të kaluar pragun që e conte te liria e tij.

Dritëroi e kishte fituar lirinë e tij dhe dukej se nuk i bënte asgjë përshtypje. Aty nga fundi i 86-tës po e dëgjoja kur qesëndiste ca njerëz të Lidhjes së shkrimtarëve.

E dini çfarë është Atdheu u thoshte. Atdheu është mullari i barit, luadhi ku kullos lopa jote, ku këndojnë pulat dhe gardhi që të rrethon shtëpinë. Po nuk i pate këto ke një mut, e nuk ke Atdhe. Të tjerët rrinin e dëgjonin kokëulur leksionin e «tufëzimit ».

Më dukej se po rilexoja një tregim të Mopasanit, për fshatarin francez, xha Milonin që kish vrarë shumë prusianë dhe kur koloneli prusian i tha pse e kish bërë këtë gjë u përgjigj. Po cfarë kishin ata me shtëpinë e me kullotën time, e kur i thanë se do ta pushkatonin, u përgjigj me qetësi. E po mirë se mos u kërkova mëshirë unë.

Të gjitha tregimet e Dritëroit janë të shkruara në këtë stil për të karakterizuar heroin komunist apo ballist. Më kujtohet në 1986 kur botoi « Nipin plangprishës » apo « Dasma e papritur e Pasho Velcanit » që bëri të rudhte buzët udhëheqja e kohës.

Dritëroi më mësoi njëherë e përgjithmonë se kjo botë ka vetëm njerëz të mirë e të ligj. Këta njerëz të mirë apo të ligj gjenden tek ballistët e te komunistët e te çdo dreq partie që ekziston, po përpos kësaj ska asgjë tjetër dhe dallimi me bazë partiake është mjerim i atij që e bën.

Plaku Dritëro vdiq!

Me vdekjen e tij për mëndjen time të vobektë për të bërë analiza mbi letërsinë mendoj se humbëm përfaqësuesin e drejpërdrejtë të Naimit të madh. Po për mëndjen time ai ishte padyshim mjeshtri më i madh i tregimit të shkurtër e barabartësinë e të cilit letërsia shqiptare nuk do ta arrijë ndoshta për shumë kohë. Dritëroi ashtu si Gëtja mund të mos jenë përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë së vëndit të tyre. Po Dritëroi ashtu si dhe Gëte janë të dy mësues të urtë të popullit dhe roli i tij ashtu si i Gëtes do të drejpeshohet nga koha. Kolosit të madh gjerman, nuk ja falën asnjëherë qëndrimin e butë ndaj Napoleonit si pushtues. Ashtu dhe Dritëroit do tja përmëndin njerëzit të qënit komunist, çka ai vetë se mohoi asnjëherë duke mos bërë më të voglën lëvizje për tu konvertuar apo ndryshuar bindjet e tij të rinisë.

Çmë kërkon mor bir- qesëndiste një koleg i cili po e pyeste në intervistë për një nga televizionet, në lidhje me këtë temë. Cjapi nuk bëhet dot dhi.

Plaku Dritëro vdiq!

Unë jam i miri dhe ligu, i ndershmi dhe i pandershmi, trimi dhe frikacaku. E kam ndarë mëndjen me kohë që nuk jam gjë tjetër vecse një vegël e rrethanave. Po e perifrazoj prapë këtë pjesë nga letra që i shkruante plaku Balzak motrës së tij. Në një përkufizim sa të njëjtë dhe të ndryshëm prej tij, mund të them pa nguruar se plaku Dritëro nuk ishte asnjëherë vegël e rrethanave.

Me vdekjen e tij, humbëm një pjesë të racës sonë, atë pjesë që na bën të ndihemi mirë kur vërvitemi andej këtej në botën e madhe. Humbëm atë pjesë për të cilën perifrazoj vetë Dritëroin e madh: Populli nuk është kovaçi, populli është Naimi. Dritëroi e meritonte epitetin më shumë se shumë të tjerë . Ai ishte biri i Naimit!

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!