Argjentina mposhti Kilin me rezultatin 2-1 dhe arriti të renditet në vendin e tretë të Kupës së Amerikës.
Mbrëmja e sotme në “Arena Corinthias” të Sao Paolos, nisi mjaft mirë për “albicelestët”, të cilët zhbllokuan sfidën që në minutën e 12’ me anë të Sergio Agueros, që shfrytëzoi mjaft mirë një asist të Lionel Messit.
Vetëm 10 minuta kë vonë Argjentina dyfishoi avantazhin, këtë herë me golin e Paulo Dybalës, që shënoi pas një pasimi të bukur të Giovani Lo Celsos, ndërsa minutat në vijim u karakterizuan nga një tension në rritje mes futbollistëve në fushë.
Kulmi arriti në minutën e 37’, kur pas një dyluftimi normal në vijën fundore, Messi dhe Gary Medel, dy kapitenët e skuadrave, u përfshinë në një zënkë mes njëri-tjetrit, duke u përplasur disa herë gjoks më gjoks, ndërsa arbitri u tregoi të dyve kartonin e kuq.
Të dyja skuadrat mbetën me 10 futbollistë, por tensioni i kilenëve nuk u ul, pasi në minutat në vijim pamë disa ndërhyrje të rënda dhe të qëllimshme të tyre, por arbitri paraguaian De Vivar humbi kontrollin e ndeshjes dhe nuk pati guximin t’i ndëshkojë ato.
Pjesa e dytë ishte më e qetë për futbollistët e të dy skuadrave, por arbitri ishte sërish në një mbrëmje jo, pasi në minutën e 59’ akordoi një 11-metërsh shumë të dyshimtë për Kilin, të cilin Vidal e shndërroi në gol, duke rihapur takimin.
Minutat në vijim sollën disa raste të mira për Argjentinën, por si Aguero, ashtu edhe Dybala e Di Maria, nuk arritën të konkretizojnë, duke bërë që të mbetej në fuqi rezultati 2-1, që ren dit Argjentinën në vendin e tretë, në Kupën e Amerikës.