Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të përurojë autostradën Shkup-Shtip, që llogaritet si një ndër arteriet kryesore të Maqedonisë Lindore. Ish-Kryeministri, Nikola Gruevski, përmes Facebookut ka thënë se kjo autostradë është ndërtuar në kohën e VMRO-DPMNE-së, duke i dërguar mesazh pushtetit aktual që ta mirëmbajnë, ngase, siç ka thënë – do të kthehet.
Ish-kryeministri në arrati Nikola Gruevski, nga Budapesti, përmes një postimi në Facebook ka komentuar perurimin e kësaj autostrade. Ai sqaron se i gëzohet përfundimit, siç thotë, të arteries kryesore për Maqedoninë Lindore dhe se 85 deri 90% është ndërtuar derisa VMRO-DPMNE-ja ka qenë në pushtet. Ai ka thënë se një meritë të madhe për ndërtimin e kësaj autostrade ka edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, për të cilin janë ngritur procedura për shpërdorim të detyrës.
“Le të jetë me fat autostrada Shkup-Shtip. Këta hajdutët e pushtetit, le të përpiqen së paku ta mirëmbajnë siç duhet. Të mos jetë i shkatërruar kur të kthehem! Përshëndetje nga Budapesti” – ka shkruar ish-Kryeministri Gruevski në rrjetin social Facebook.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i socialdemokratëve në pushtet. LSDM-ja thotë se pikërisht ka qenë Gruevski i cili ka keqpërdorur mjetet për ndërtimin e kësaj autostrade, siç thonë së bashku me bashkëpartiakun e tij Mile Janakievski. Socialdemokratët thanë se Gruevski nuk duhet të shqetësohet për mirëmbajtjen e autostradës.