Ngritja e dy gjykatave më të larta të sistemit të drejtësisë, asaj të Lartës dhe Kushtetueses, është një domosdoshmëri, ndërsa organet e reja të qeverisjes së sistemit ende nuk kanë bërë të mundur plotësimin e tyre më anëtarë.
Duke iu referuar ligjit për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ngritja e Gjykatës së Lartë është në dorën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi është ai që do të hapë garën dhe bëjë verifikimet e kandidatëve.
Këshilli Gjyqësor, vetëm në mbledhjen e djeshme, hodhi një hap para për ngritjen e Gjykatës së Lartë, teksa hapi garën për 3 kandidatët jogjyqtarë të kësaj Gjykate, të mbetur me vetëm 2 të tillë.
“Për procedurën e ngritjes në detyrë, për plotësimin e një pozicioni të lirë në Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor propozon me shkrim emërimin e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore, duke arsyetuar përmbushjen e kritereve dhe duke bërë renditjen e kandidatëve, sipas procedurës dhe rregullave të parashikuara në pikat 9 dhe 14 të këtij neni”, shkruhet në ligj.
Gjyqtarët e lartë do të dekretohen nga Presidenti, ndërsa deri më tani ringritja e kësaj Gjykate nuk ka marrë formë. Për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese duhet një bashkëpunim më i gjerë, pasi kandidatët vijnë nga 3 institucione të ndryshme për të plotësuar numrin total.
Duke iu referuar ligjit, për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës i dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi listën e plotë të kandidatëve që kanë shprehur interes për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Pas kandidatëve që kanë aplikuar pranë Presidentit, është Kryetari i Kuvendit që i dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi listën e plotë të kandidatëve që kanë shprehur interes për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, të cilat plotësohen nga Kuvendi, së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët.
Menjëherë, Kryetari i Gjykatës së Lartë i dërgon Këshillit të Emërimeve në Drejtësi listën e plotë të kandidatëve që kanë shprehur interes për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, të cilat plotësohen nga Gjykata e Lartë, së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët, menjëherë pas publikimit të listës së kandidatëve në faqen zyrtare të Gjykatës.
Kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi një shprehje interesi të nënshkruar dhe të shoqëruar me dokumentet e parashikuara në ligj.