MENU
klinika

Intervistohen kandidatët

KLP drejt ngritjes së Prokurorisë Speciale!

09.07.2019 - 17:08

Në kohën kur shumica e kandidatëve për në SPAK është nën ethet e vettingut, Këshilli i Lartë i Prokurorisë po interviston 22 prokurorët që kanë shprehur interes për të qenë pjesë e njësisë së antikorrupsionit dhe krimit të organizuar.

Procesi i intervistimit është faza e fundit që realizon “qeveria e prokurorëve”, e cila brenda javës pritet të listojë kandidatët, sipas aftësive të tyre profesionale dhe kontributit që gjithsecili ka dhene në drejtësi, ç’ka do të ndikojë më pas dhe ne emërimin përfundimtar të emrave që ia dalin të kalojnë me sukses filtrin e trefishtë të kontrollit.

Këtë të martë, me këshillin u përballën katër prokurorë, përderisa prokurori Behar Dibra mungoi në proces, me argumentin se ishte i angazhuar në një proces gjyqësor. Gjatë seancave të intervistimit që zgjasin gati një orë, prokurorët shpalosin jo vetëm vizionin e tyre për njësinë antikorrupsion, por nuk u shpëtojnë as pyetjeve për cështje konkrete.

A keni marrë kërcënime gjatë ushtrimit të detyrës? A jeni vënë nën presion nga eprori? A ju kanë rrjedhur sekretet e dosjes? Cilat janë dosjet me problematike që keni hetuar? A keni marrë ndonjëherë masë disiplinore?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet që iu janë bërë pretendentëve për SPAK nga anëtarët e kësHillit, por nuk kanë munguar as interesat për cështje speficike, sic është hetimi i emrave të njohur të botës së krimit, apo dosjeve të korrupsionit.

Seancat e intervistimit janë monituar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu nuk kanë nguruar të pyesin kandidatët, sidomos ata që kanë hetuar dosje të bujshme, të cilët janë bere edhe objekt debati publik.

Përgjatë dy ditëve, janë intervistuar prokurorët, Altin Dumani, Anita Jella, Anton Martini, Arben kraja, Besim Hajdarmataj, Besnik Muci, doloreza Musabelliu dhe Donika Prela. Në tri ditët në vijim pritet të intervistohen edhe 14 kandidatë. Për strukturën e posaçme garojnë 23 prokurorë, 10 prej të cilëve e kanë kaluar shkallën e parë të vettingun, një është shkarkuar nga detyra, ndërsa 12 të tjerë, presin të përballen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.