Debate të forta mes socialistëve ka pasur ditën e djeshme gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
Debate të ashpra pati mes socialistit Bashkim Fino dhe Avoktatit të Shtetit, Artur Metani.
Përplasja mes tyre erdhi pas pyetjes së Finos në lidhje me humbjen e betejës së shtetit shqiptar në Strasburg, humbje kjo si pasojë e së cilës qeveria u detyrua të pagojë 14 mln euro dëmshpërblim.
Kjo betejë në Strasburg u zhvillua për shembjen e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë.
Por Metani, i cili është njëherazi vëllai i deputetes së PS Eglantina Gjermeni, iu përgjigj me ironi duke e quajtur Finon “zoti deputet”.
“Për etikë, më quajnë Bashkim Fino, jam deputet i PS-së, kam 22 vite në Parlament dhe shpresoj q siç di emrin e disa deputetëve që riashtaz kanë ardhur të rinj (është fjala për Andi Përmetin), dhe të cilët i vlerësove të më vlerësosh dhe mua me këtë etiketë. Vetëm për çështjen që fole, nuk kam dëshirë”, iu përgjigj Fino i cili më tej ka vijuar debatin me socialistin Ulsi Manja duke i kërkuar qëndrim për këtë, por Manja i është përgjigjur ashpër.
Debati:
Bashkim Fino: Për etikë, më quajnë Bashkim Fino, jam deputet i PS-së, kam 22 vjet në këtë Kuvend dhe shpresoj që siç di emrin e disa deputetëve që rishtaz kanë ardhur të rinj, dhe të cilët i vlerësove të më vlerësosh dhe mua me këtë etiketë. Vetëm për çështjen që fole, nuk kam dëshirë.
Artur Metani: Më mirë. Nuk është dhe objekt i raportimit tek e fundit
Fino-Ulsi Manjës: Ti duhet të mbash qëndrim si kryetar i Komisionit për këtë gjë
Ulsi Manja: Gishtin mos ma drejto mua se nuk jam shoku jot unë.
Artur Metani: Nuk ka të bëjë ekzekutimi me vendimin e Strasburgut. KLSH e ka gjetur pa probleme. Meqë u bë ndryshim ligjor ne nuk kemi pas vendimmarrje lidhur me këtë çështje.