Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare janë të pakënaqura me gjendjen e tyre financiare. Përfundimi vjen nga barometri publik i Ballkanit, një sondazh i kryer me sponsorizimin e këshillit të bashkëpunimit rajonal.
Më konkretisht, 55 për qind e familjeve shqiptare shprehen të pakënaqura ose totalisht të pakënaqura me gjendjen financiare që po kalojnë dhe vetëm 22 për qind kanë dhënë vlerësim pozitiv.
Kjo i bën shqiptarët, popullin më të pakënaqur me gjendjen e tyre financiare në Ballkan, duke patur madje diferencë jo të vogël me vendet e tjera të rajonit.
Në vendin e dytë pas Shqipërisë për perceptimin negativ të gjendjes financiare renditin boshnjakët. Sipas barometrit, 52 për qind e familjeve boshnjake raportojnë një situatë të vështirë financiare, të ndjekura më pas nga Serbia me 44 për qind dhe Maqedonia me 39 për qind.
Edhe pse rritja ekonomike e Shqipërisë sipas shifrave zyrtare është forcuar gjatë viteve të fundit, shqiptarët perceptojnë të kundërtën. Pjesa e familjeve të pakënaqura me situatën e tyre financiare ka shënuar rritje, ndërkohë që vetëm një përqindje e vogël e tyre percpetojnë gjendje të mirë financiare.
Barometri publik i Ballkanit është një sondazh i kryer me financim të këshillit rajonal të bashkëpunimit. Sipas dokumentave, për kryerjen e këtij sondazhi janë intervistuar mbi 6200 familje në 6 vendet e rajonit, për një sërë temash, jo vetëm ekonominë, por edhe rendin, sigurinë, korrupsionin e shumë të tjera.