Ditën e enjte, Kuvendi i Shqipërisë pritet që të votojë dy ligjet e mbartura të reformës në drejtësi.
Bëhet fjalë për ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Në dy vitet e fundit shumica socialiste kërkoi konsensusin e PD-LSI për të ndryshuar 2 ligjet e Reformës në Drejtësi pas shfuqizimit të 22 neneve nga Gjykata Kushtetuese, pasi duheshin 84 vota, por opozita refuzoi.
Nenet kryesore kanë të bëjnë me rregullat për hetimin e shkeljeve nga gjyqtarët e prokurorët, si dhe procedimin e vetë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Me largimin e PD-LSI-së, shumica duket se ka marrë konsensusin e opozitës së re për të kaluar ligjet e mbartura prej dy vitesh në Kuvend.
Nesër në orën 11:00 është parashikuar diskutimi i ndryshimeve te Komisioni i Ligjeve, ndërsa të enjten pritet votimi në Kuvend.