Qarku i Korçës ishte ndalesa e radhës e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në kuadër të ditës së punës në qark.
Ministrja Balluku inspektoi disa prej institucioneve të cilat ofrojnë shërbim për qytetarët ku u njoh me ecurinë e punës dhe problematikat që hasin ndërsa vizitoi edhe një biznes fason i cili ushtron aktivitetin e tij në qytetin e Korçës.
Balluku e vuri theksin tek angazhimi i Qeverisë Shqiptare por edhe institucioneve shtetërore për të ofruar kushte sa më të mira për të gjithë sipërmarrësit të cilët duan të investojnë apo të zgjerojnë biznesin e tyre.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi gjithashtu se është e rëndësishme që qytetarëve t’ju ofrohen mundësi punësimi.
“Për gjithë qeverinë, për gjithë strukturat shtetërore, është shumë e rëndësishme që bizneset apo investimet e huaja, si dhe ato shqiptare sigurisht, të gjejnë komoditetin e të punuarit në Shqipëri me transparencë të plotë duke përmbushur të gjitha kërkesat e legjislacionit shqiptar por sigurisht duke ju ofruar qytetarëve tanë mundësi punësimi, dhe kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku.
Ministrja shtoi më tej se krahas zhvillimit të turizmit, Korça ofron të gjitha mundësitë edhe për zhvillimin e industrisë, duke shmangur dëmtimin e mjedisit.
Gjatë vizitës në qarkun e Korçës, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë vizitoi edhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor ku u njoh me mbarëvajtjen e procesit të punës. Drejtuesit e kësaj drejtorie bën të ditur se nismat e ndërmarra së fundmi kanë lehtësuar procedurat duke u kursyer kohë qytetarëve.
Balluku u ndal edhe në Spitali Rajonal të Korçës ku bisedoi me mjekë dhe infermierë të këtij spitali sa i takon problematikave dhe ecurisë së punës, si dhe u njoh me planin e masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik.