MENU
klinika

Se duan as në Kroaci!

Lojtari i Kombëtares përfundon në…rrugë!

14.07.2019 - 20:11

Përpara një viti, Anderlecht pagoi plot 750 mijë euro në arkat e klubit të Skënderbeut për Kristal Abazajn, që vinte nga një super sezon me Luftëtarin e Gjirokastrës, përpara se të firmoste me ekipin korçar, ku nuk do të luante asnjë sekondë, pasi i huazuar për fazën e dytë te bluzinjtë.

Më 30 qershor, zyrtarisht Abazaj u bë i Skënderbeut, por vetëm një ditë më pas ishte i shitur në Belgjikë, falë transferimit të agjentit të tij Shkumbin Qormemeti.

Në Belgjikë e pritën si një talent me prespektivë, por vetëm 21 minuta në kampionat mjaftuan që drejtuesit e klubit prestigjoz të Anderlecht të kuptonin se ndoshta u nxituan me këtë transferim dhe investim, pasi Abazaj nuk ishte gati si fizikisht, ashtu edhe teknikisht për një hap kaq të madh.

Kështu, menduan ta huazonin në Kroaci në shkurt të këtij viti, me kontratë deri në 31 dhjetor të këtij viti. Me Osijek, futbollisti i kombëtares do të luante vetëm 9 ndeshje, nga të cilat vetëm dy herë si titullar (në total 454 minuta në fushë), duke shënuar vetëm 1 gol, ndaj Istra.

Sapo u mbyll sezoni, të zhgënjyer nga paraqitjet e futbollistit, që fitonte rrogë rreth 20 mijë euro në muaj, drejtuesit e Osijek vendosën që, bashkë me trajnerin, ta nxirrnin jashtë planeve, duke mos e grumbulluar në Austri, ku skuadra kroate po kryen fazën përgatitore.

Emri i Abazajt nuk figuroi aspak në listën e lojtarëve të grumbulluar, ndërsa kampionati i Osijek nis në datën 19 korrik, asnjë gjurmë të shqiptarit, që ndër të tjera ndodhet në Shqipëri që prej fundit të qershorit. Në anën tjetër, Anderlecht nuk ka ndër mend ta kthejë në Belgjikë, teksa trajneri Kompany nuk e sheh si alternativë.

Kështu, Abazaj vazhdon pushimet, i mbetur pa ekip. Një mundësi e mirë mund të jetë huazimi për gjashtë muaj ose më shumë te një ekip shqipar.

Kujtojmë që dikur Partizani ishte i interesuar për ish-lojtarin e Luftëtarit, ashtu si edhe Kukësi, edhe pse Abazaj kërkon rrogë mbi 12 mijë euro në muaj.