Kryeprokurorja speciale publike Katica Janeva deklaroi dorëheqje të parevokueshme.
Janeva thotë, se nuk do të lejojë që emri i saj të shfrytëzohet si alibi për t’u mbajtur në peng e ardhmja e Prokurorisë Speciale.
Kryeprokurorja speciale publike Katica Janeva në sqarimin e shkurtër si shkak për tërheqjen e saj përmendi bllokimin e bisedimeve mes pushtetit dhe opozitës rreth fatit të PSP-së.
“Me muaj i ndjek kronikat e mediave për bisedimet e grupeve të punës të partive politike për të ardhmen e PSP-së. Shfrytëzoj rastin ta informoj opinionin se nuk do të lejoj që emri im të përdoret për alibinë e dikujt me çka peng do të mbahet fati i PSP-së dhe integrimet evropiane të vendit tim”, deklaroi Katica Janeva.
“E dorëzoj kërkesën time, e cila do të bëhet aktive atëherë kur partitë politike do të dakordohen për zgjidhjen e re ligjore dhe do të përzgjedhin pasardhësin tim”, thotë Katica Janeva.
Ditë më parë kryeministri Zaev duke folur për ligjin për prokurorinë publike, ka theksuar se pengesa e vetme për miratimin e këtij ligji mes pozitës dhe opozitës është kryeprokurorja Katica Janeva, gjegjësisht opozita nuk dëshiron që në krye të PSP-së të mbetet Janeva.
Katica Janeva u emërua në pozitën e Prokurores Speciale më 15 shtator të vitit 2015. Qëllimi kryesor i formimit të PSP-së ishte të zbulojë kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme për thuajse një dekadë të tërë, por edhe t’i zbulojë të gjitha indikacionet për kriminalitet në të ashtuquajturat bomba që i publikoi opozita e atëhershme, LSDM.
- Kryeministri fton takim liderësh
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev u bëri thirrje Ali Ahmetin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Ziadin Selën nga Aleanca për Shqiptarët dhe Hristijan Mickoskin nga VMRO-DPMNE për takim liderësh të premten (19.07).
“Ka mbetur shumë pak kohë deri në tetor kur presim që Komisioni Evropian të na bëjë me dije se duhet t’i fillojmë negociatat aderuese sipas kapitujve me Bashkimin Evropian. Duhet të punojmë së bashku për çështjet e mbetura, të marrim vendime të përbashkëta për të plotësuar kushtet për të filluar negociatat”, vuri në dukje Zaev.
Liderët e katër partive më të mëdha pritet të diskutojnë për Ligjin e Kodit Zgjedhor dhe modelin e ri zgjedhor, Ligjin e ri për Prokurorinë Publike dhe arritjen e konsensusit për regjistrimin e popullatës. Subjektet politike pjesëmarrëse mund të propozojnë tema, për të cilat duan të diskutohet mes liderëve. Zaev mbetet i prerë kundër zgjedhjeve të parakohshme, me arsyetimin se kjo do t’i kushtonte shtetit.
VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk konfirmon nëse do të marë pjesë ose jo, por thonë se insistimi tyre mbetet që pika e parë e takimit duhet të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Jemi të vendosur se në atë takim liderësh si fillim duhet diskutuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Lidhur me përbërjen e takimit dhe temat, ditëve në vijim do të diskutohet në organet e partisë”, ka deklaruar Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në parim refuzon kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se për momentin prioritet ka zhvillimin ekonomik i vendit, që sipas tij nuk mund të arrihet me zgjedhje të parakohshme.
“Mbetem në qëndrimin se duhet të shkojmë në zgjedhje të rregullta. Zgjedhjet e shpejta parlamentare, e pamë se ku e çojnë vendin për shkak të konsultimeve politike. Zgjedhje të rregullta do të ketë në dhjetor të vitit 2020, por për mua nuk ka problem që ato të mbahen edhe në tetor”, ka thënë Zaev.
BDI konfirmon pjesëmarrjen, por për çështjet që do të diskutohen do të prononcohet ditëve në vijim. Aleanca për Shqiptarët do të vendosë të mërkurën (17.07) kur do të mbajë mbledhjen e kryesisë.