Presidenti i Republikës Ilir Meta i kthen maxhorancës një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend.
Me dekretin 11225, Kreu i Shtetit ka kthyer mbrapsht ligjin për rezervat materiale të shtetit, për të cilin opozita tha se me ndryshimin e ri kryeministri Edi Rama merr të drejtën e blerjes së arit në Shqipëri.
Në arsyet e kthimit të ligjit, Presidenti Meta deklaron se nisma ligjore për ndryshimin e nenit 10, pika 1 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, është e pajustifikuar.
Sipas tij, dispozitat e ligjit të miratuar nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimmarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.
Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.
- DEKRET
“PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 36/2019 “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR. 9900, DATË 10.4.2008, “PËR REZERVAT MATERIALE TË SHTETIT”
Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,
Dekretoj
Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, sipas arsyetimit bashkëlidhur.
Nr. Dekreti 11225
Tiranë, më 15.07.2019
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 36/2019
“Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 20 qershor 2019 ka miratuar ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”. Me shkresën e Kuvendit nr. 2596 prot, datë 26.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.2003 prot, datë 26.06.2019, ligji nr. 36/2019, i është përcjellë Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje.
Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky projektligj është propozim i Këshillit të Ministrave, nisëm e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo nisëm ligjore është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë në cilësinë e komisionit përgjegjës.
Referuar relacionit shpjegues të Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar propozimin e projektligjit, si dhe raportit të datës 17.06.2019 të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, rezulton se ndryshimi ligjor i miratuar synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi, me një akt individual, “Urdhër të Kryeministrit”.
Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kjo mënyrë e re e vendimarrjes bëhet për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë e cila sjell vonesa në momentin e daljes së aktit deri në lëvrimin e mallrave.
Presidenti i Republikës për shqyrtimin e ligjit nr. 36/2019, ju referua përmbajtjes së vet aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, si dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim. Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të përmbajtjes së qëllimit për të cilën ky akt është propozuar në raport me interesin publik.
Nga shqyrtimi i ligjit nr. 36/2019, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.
Bazuar mbi këtë arsyetim, të shpjeguar si më poshtë vijon, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligj nr.36/2019, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” është vërtet i nevojshëm apo jo.
Konkretisht;
Kuvendi i Shqipërisë nëpërmjet ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” ka krijuar bazën ligjore të nevojshme për rregullimin e të gjitha marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes dhe kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.
Ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që prej datës 10.04.2008, nuk është ndryshuar për një periudhë 11 vjeçare dhe implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjell ndonjë problematikë të theksuar, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë administrative të strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.
Sipas nenit 2 të ligjit ekzistues nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, rezervat materiale të shtetit janë lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, prodhimet dhe mjetet e tjera të domosdoshme për depozitimin, mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre, ndërkohë që administrimi i tyre është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër, që mund të kryhet me rezervat materiale të shtetit.
Në po këtë nen në pikën 4 të tij, jepet përkufizimi i termit “lëvrim” ku sipas ligjit lëvrimi është dhënia, falas ose me pagesë, e rezervave materiale të shtetit.
Ndërkohë në nenin 3, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, përcaktohet se:
“Rezervat materiale të shtetit krijohen për të ndërhyrë, në mënyrë operative, për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake (në gjendje lufte), të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare”.
Referuar dispozitës së mësipërme, është e qartë se Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar të përcaktojë me ligj rëndësinë madhore që ka krijimi, administrimi dhe përdorimi i rezervave materiale të shtetit, të cilat përveç krijimit dhe rifreskimit permanent të tyre, përdoren kryesisht në ato raste kur vihet në rrezik jeta dhe shendeti i popullatës, apo prona publike dhe private që në thelb të tyre bëjnë pjesë në ato marrëdhënie juridiko shoqërore mbrojtja e të cilave përbën interes të lartë publik.
Pikërisht për nga shumëllojshmëria dhe rëndësia e materialeve që përbëjnë rezervat shtetërore, ligjvënësi në nenin 5, pika 3 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, ka përcaktuar se:
“Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave” .
Këshilli i Ministrave me vendimin nr.1128, datë 05.08.2008 ka miratuar listën përbërëse të mallrave rezervë shtetërore, në lloje dhe sasi, e ndarë sipas grupeve, si dhe limiti minimal për secilin artikull, ku në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi parashikohet dhe Grupi A, i mallrave rezervë material shtetërore si më poshtë:
Tabela 1
Kuvendi i Shqipërisë, për lëvrimin e mallrave të Grupit A, që kanë një rëndësi të lartë dhe një vlerë të konsiderueshme për rezervat shtetërore, ka përcaktuar në nenin 10 pika 1, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, se:
“Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit”.
Ndërkohë që me ndryshimet që propozohen të realizohen me ligjin nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, Kuvendi ka miratuar ndryshimin pikërisht të pikës 1, të nenit 10 të ligjit bazë. Sipas nenit 1 të ligjit nr. 36/2019, parashikohet se:
Pika 1, e nenit 10, të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, ndryshohet si më poshtë:
“1. Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”.
Pra sipas këtij ndryshimi në ligj, të gjitha mallrat e Grupit A, të cilat deri më tani, kanë qenë në kompetencë të Këshillit të Ministrave për të vendosur lëvrimin e tyre, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor propozohen që ato të lëvrohen me akt individual të Kryeministrit me propozimin e ministrit.
Siç u përmend edhe më sipër, ky ndryshim justifikohet nga qeveria dhe Kuvendi me të vetmin argument se thjeshtohet procesi i lëvrimit të mallrave rezervë shteti të grupit A, për shkak se miratimi i lëvrimit të mallrave të grupit A bëhet nëpërmjet një akti kolegjial, si ai i vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe kjo sjell vonesa në daljen e aktit të miratimit dhe deri në lëvrimin e tyre.
Presidenti i Republikës vlerëson se ky argument i Këshillit të Ministrave dhe i Kuvendit të Shqipërisë, nuk qëndron dhe nuk justifikon aspak ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore për miratimin e ndryshimeve në nenin 10 pika 1 të ligjit ekzitues.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 100 përcakton ndër të tjera se Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit ose të ministrit përkatës.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 9000, date 30.1.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ligj ky në të cilin është përcaktuar faqe qartë, mënyra se si mblidhet, kush e thërret dhe si i merr vendimet qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Në nenin 13 të këtij ligji përcaktohet se mbledhja e Këshillit te Ministrave thirret nga Kryeministri ose, ne mungesë dhe me porosi të tij, nga Zëvendëskryeministri.
Pra, autoriteti që ka për detyrë dhe përgjegjësi që të thërrase mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është vet Kryeministri. Në këtë mënyrë rezulton se, ndryshimet e propozuara në ligjin nr.9900/2008, për t’i kaluar Kryeministrit një kompetencë të Këshillit të Ministrave, nën argumentin se Kryeministri mund të vonojë mbledhjen dhe vendimarrjen e këtij organi kolegjial është absolutisht i pambështetur në ligj dhe krejtësisht i pajustifikuar.
Për më tepër, ligji nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, ka parashikuar edhe ato raste kur mbledhja e Këshillit të Ministrave është e domodoshme të realizohet në mënyrë urgjente dhe në raste të jashtëzakonshme.
Konkretisht në nenin 14 të ligjit, parashikohet se: “ Në raste të veçanta, Këshilli i Ministrave thirret në mbledhje të jashtëzakonshme nga Kryeministri ose, në mungesë dhe me porosi të tij, edhe nga zëvendëskryeministri. Në rastet e thirrjes së mbledhjes të jashtëzakonshme nuk zbatohen rregullat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji”.
Pra edhe sipas kësaj dispozite është parashikuar edhe zgjidhja e atyre situatave të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur zbatimin e rregullit se rendi i ditës dhe projektaktet që do të shqyrtohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dërgohet 2 (ditë) përpara datës së zhvillimit të mbledhjes.
Pra është vet ligji organik i Këshillit të Ministrave që e ka zgjidhur qartësisht se si veprohet në situata emergjece me rëndësi të jashtëzakonshme.
Në këtë mënyrë, referuar parashikimeve të ligjit nr.9000/2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, rezulton se argumenti i përdorur për ndryshimin e nenit 10 pika 1 të ligjit nr. 9900/2008 “Për rezervat material të shtetit”, nuk qëndron dhe është ligjërisht i pajustifikuar, pasi Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të mblidhet në çdo kohë dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vështirësojë procesin vendimarrës të tij, përfshi këtu edhe vendimarrjen për lëvrimin e mallrave pjesë e rezervës shtetërore.
Republika e Shqipërisë, ka në fuqi një bazë ligjore të shëndoshë që parashikon mbledhjen në urgjencë të Këshillit të Ministrave, për të ushtruar në çdo kohë përgjegjësitë dhe funksionet e tij.
Prandaj çdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues nr.9900/2008.
Për më tepër, nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë mallrat e Grupit A të rezervave të shtetit është në interes të publikut të gjerë që kontrolli ndaj çdo veprimi administrativ mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politik Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në objektivitetin e vendimarrjes.
Presidenti i Republikës vlerëson se nisur nga natyra dhe lloji i mallrave të Grupit A, të rezervave të shtetit, është e domodoshme të ruhet standarti ligjor i vendosur prej 11-vjetësh, ku vendimarrja mbi mënyrën e administrimit të mallrave të Grupit A, t`i lihet vendimarrjes së Këshillit të Ministrave.
Presidenti i Republikës, vlerëson se në zbatim të nenit 100 pika 1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore është e detyrueshme që të gjithë anëtarët e Këshillit të Ministrave duhet të jetë në dijeni dhe të japin mendimin e tyre për çdo lëvizje apo lëvrim të mallrave të rezervave shtetërore pjesë e kategorisë A, pasi ruajtja e këtij standardi kontrollues mbi këtë verimtari garanton një mënyrë më objektive për të ruajtur të pacenuar interesin publik.
Ndryshimet ligjore të mriatuar me ligjin nr. 36/2019, dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë
Siç u relatua më sipër, në përfundim të këtij shqyrtimi Presidenti i Republikës, konstaton se;
Nisma ligjore për ndryshimin e nenit 10, pika 1 të ligjit nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, është e pajustifikuar;
Dispozitat e ligjit të miratuar nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, përbëjnë rrezik të shtuar për cenimin e interesit publik, që mund të vijë nga keqadministrimi dhe shpërdorimi i pushtetit vendimarrës për lëvrimin e mallrave të rezervave të shtetit, pjesë e grupit A.
Për këto arsye, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë.