MENU
klinika

Liria ka një emër... Madiba!

“Asgjë në botë nuk e vret shpirtin që ëndërron”

18.07.2019 - 14:46

     Disa njerëz janë thjesht të pavdekshëm, një prej tyre është edhe Nelson Mandela, një nga liderët më me ndikim në botë. Ish-presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut dhe ikona kundër racizmit, Nelson Mandela, lindi më 18 korrik 1918.

I njohur botërisht me pseudonimin Madiba, presidenti i parë që u zgjodh pas përfundimit të Aparteidit në vendin e tij (1994) u laureua me çmimin “Nobel” për Paqe në vitin 1993, çmim të cilin e ndau me paraardhësin e tij, Frederik Willem de Klerk, me të cilin arritën të shfuqizonin aparteidin në fillim të viteve nëntëdhjetë. Prej vitit 1999, partia e tij “Kongresi Kombëtar Afrikan” (ANC), vazhdimisht është pjesë e qeverisë së Afrikës së Jugut.

Për shumëkënd, Nelson Mandela ishte një hero-simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit. Cilësohej shpesh si njeriu i thjeshtë, karizmatik dhe besnik, si njeriu që kujdesej për të tjerët. Nelson Mandela ndoqi universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij, Oliver Tambo, themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg, nga ku jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

 

 

 

 

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mandelës, përcaktuar nga Kombet e Bashkuara në nëntor 2009, sot kujtohet një figurë kyçe në historinë e Afrikës së Jugut dhe botës bashkëkohore. Mishërim i dhënies fund të Aparteidit dhe së luftës së paepur për përmbushjen e idealeve, nuk duhet të na habitë fakti që Nelson Mandela është shndërruar në simbol paqeje dhe pajtimi, njëlloj si Gandi dhe Nënë Tereza e Kalkutës, për më tepër duke pasur parasysh historinë e trazuar që mban mbi shpinë.

Lindur në fund të Luftës së Parë Botërore, iu qas gradualisht kauzës antikolonialiste gjatë periudhë së studimeve dhe ishte ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Rinore të Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC), një parti që luftoi për dhënien fund të nënshtrimit të të zinjve ndaj të bardhëve. Mandela është një figurë e ndërlikuar, por vlen të analizohet mbi të gjitha lufta 27-vjeçare që bëri në burg, kjo edhe për shkak të fajësimit të tij në një seri padish dhe aktivitetesh që u kushtonin jetën civilëve. Mandela asnjëherë nuk e mohoi përgjegjësinë lidhur me dhunën, duke e përfaqësuar kështu jo si një njeri pa të meta, por si një figurë politike shumë të plotë: duke shmangur idealizimin, pasi para atyre që e shihnin ai shfaqej me një karakter të ndriçuar dhe me hije, i udhëhequr nga një ideal i drejtë.

Gjatë mbrojtjes në procesin që përfundimisht do të rezultonte në dënimin e tij me burg, ai pranoi haptazi se kishte planifikuar sabotimin për të cilin ishte akuzuar; për më tepër, ai deklaroi se kishte luajtur një rol themelor në atë që konsiderohet “krahu i armatosur” i KKA, duke zhvilluar një luftë të vërtetë guerrilase pa përjashtuar dhunën. Megjithatë, gjithashtu specifikonte se gjithë veprimet e tij, kurrë nuk ishte udhëhequr nga qëllimet e urrejtjes, apo nga ndërgjegjësimi se lufta e armatosur përfaqësonte të vetmin përgjigje të besueshme ndaj regjimit të shtypjes.

 

 

 

 

“Është gjithmonë shtypësi, dhe jo i shtypuri, i cili vendos formën e luftës. Nëse shtypësi përdor dhunën, i shtypuri nuk ka zgjidhje përveçse t’i përgjigjet me dhunë. Nëse shteti do kishte vendosur të përdorte metoda paqësore, KKA do të bënte të njëjtën gjë”.

 

Fundi i aparteidit nuk nënkupton ndërprerjen e menjëhershme të tensioneve dhe dhunës racore, që vazhdoi, madje pati edhe një rilindje në vitet në vijim. Rruga drejt paqes dhe një demokraci gjithëpërfshirëse është gjithmonë e gjatë dhe e trazuar. Për Afrikën e Jugut, kjo rrugë vazhdon ende: me një ekonomi në rritje, vendi mbetet i shënuar nga pabarazi të mëdha, siç dëshmohet edhe nga rezultatet e fundit të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor të Kombeve të Bashkuara. Nëse konfigurimi institucional i Afrikës së Jugut ka ndryshuar, do të duhen vite që indeksi politik dhe ekonomik të afrohen më shumë me potencialin e saj.

 

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Nelson Mandelës, mbetet e rëndësishme të festohen arritjet e politikanit, pa harruar se si janë arritur këto dhe ndoshta duke i theksuar, për të parandaluar që ekstremet e ardhshme të mbërrijnë në ekstreme të ngjashme. A do të kishte ndryshuar historia e Afrikës së Jugut, nëse dikush tjetër do kishte përfaqësuar evolucionin e saj politik? Ndoshta, por ndoshta nuk do të ishte shndërruar kaq thellë. Sipas disa vëzhguesve, Mandela ishte alternativa e vetme që do të ishte pranuar edhe nga komponenti “i bardhë” i Afrikës së Jugut; për këtë, para njeriut me aftësi të jashtëzakonshme politike, ata shohin tek Mandela njeriun e duhur në kohën e duhur.

Nëse sot të “bardhët” dhe “zezakët” në Afrikë arrijnë të bashkëjetojnë, atëherë kjo është falë Nelson Mandelës dhe mbrojtjes së tij të fuqishme dhe të palodhur të së drejtës së barazisë midis njerëzve.

Shkrimet dhe fjalimet e Mandelës u mblodhën në “Jam i përgatitur për të vdekur” (1964), “Rruga drejt lirisë” (1965), “Lufta është jeta ime” (1978). Autobiografia “Rruga e gjatë drejt lirisë”, e cila kronikon jetën e tij të hershme dhe vitet në burg, u botua në vitin 1994. Një draft i papërfunduar i vëllimit të dytë të kujtimeve u përfundua nga Mandla Langa dhe u publikua pas vdekjes: “Nuk guxoj të ngurroj: Vitet Presidenciale” (2017) ./Konica.al

 

 

 

 

Thënie nga Nelson Mandela:

 

Vështirësitë e jetës disa i lodhin, të tjerë i forcojnë. Nuk ka asgjë në botë që të vrasë shpirtin e atij që ëndërron të arrijë diçka në jetë.

 

Mos më gjykoni nga suksesi. Më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ngritur përsëri.

 

Njerëzit mësojnë të urrejnë, e nëse mësojnë të urrejnë, mund të mësojnë edhe të duan, sepse për zemrën njerëzore dashuria është më e natyrshme se urrejtja.

 

Nëse i flet një njeriu në një gjuhë që e kupton, ajo që i thua i ngulitet në kokë. Nëse i flet me gjuhën e tij, i ngulitet në zemër.

 

Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorësh, për të ndryshuar botën.

 

Më pëlqejnë miqtë që kanë mendje të pavarura, sepse të ndihmojnë të shohësh problemet nga të gjitha pikëvështrimet.

 

Kam mësuar se kuraja nuk është mungesa e frikës, por triumfi mbi të. I guximshëm nuk është ai që nuk ndien frikë, por ai që e pushton atë frikë.

 

Për lirinë nuk ka asnjë rrugë të lehtë.

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Antiracizmi mori portretin e tij

Mandela, presidenti i parë me ngjyrë

“Nuk do ta shoh kurrë botën”

Ahmet Altan, të shkruash pas hekurave


"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe